
Sëmundjet e lindura të zemrës te fëmijët

Fluoroza dentare
Çfarë është faringiti dhe tonsiliti te fëmijët?
Faringiti është një inflamacion që shoqërohet me skuqje, dhimbje dhe ënjtje të fytit (faringut).
Tonsiliti është inflamacion i bajameve, të cilat ndodhen në të dy anët e murit të pasëm të faringut. Bajamet janë pjesë e sistemit imunitar dhe ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet.
Fëmija mund të vuajë vetëm nga faringiti, vetëm nga tonsiliti, ose nga të dyja njëherësh (faringotonsilit, i njohur në gjuhën popullore si “fyt i sëmurë”).
Kush e shkakton faringitin dhe/ose tonsilitin te fëmijët?
Infeksionet virale janë shkaku më i zakonshëm i faringitit. Tonsiliti, nga ana tjetër, mund të shkaktohet si nga viruset, ashtu edhe nga bakteret.
Bakteri më i shpeshtë që shkakton tonsilit është Streptokoku (Streptococcus pyogenes).
Cilët fëmijë janë më të rrezikuar nga faringiti dhe tonsiliti?
Më të rrezikuar janë fëmijët që ndjekin shkollën ose çerdhen, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur janë më të shpeshta infeksionet virale dhe bakteriale.
Cilat janë shenjat e faringitit dhe tonsilitit te një fëmijë?
Shenjat mund të ndryshojnë nga një fëmijë te tjetri, por më të shpeshtat përfshijnë:
- Dhimbje fyti, sidomos gjatë gëlltitjes
- Temperaturë
- Zmadhim të gjëndrave limfatike të qafës
- Dhimbje koke
- Lodhje
- Mungesë oreksi
- Të përziera ose të vjella
Këto shenja mund të hasen edhe në gjendje të tjera shëndetësore. Prandaj, fëmija duhet të konsultohet me personel mjekësor për të vendosur diagnozën e saktë të faringitit dhe/ose tonsilitit.
Mjeku do të ekzaminojë fëmijën, duke i kushtuar vëmendje veshëve, hundës, fytit dhe bajameve. Në varësi të simptomave dhe gjetjeve gjatë vizitës, ai mund të rekomandojë ekzaminime shtesë, si testi i shpejtë për praninë e streptokokut (Strep Test) ose analiza të tjera, sipas rastit.
Si mjekohen faringiti dhe tonsiliti te një fëmijë?
Trajtimi varet nga shkaku i infeksionit, mosha dhe gjendja e përgjithshme e fëmijës.
- Në rast infeksioni bakterial, fëmija trajtohet me antibiotikë të përshkruar nga mjeku.
- Nëse shkaku është viral, nuk nevojitet antibiotik dhe trajtimi synon lehtësimin e simptomave.
Trajtimi simptomatik mund të përfshijë:
- Dhënien e acetaminofenit ose ibuprofenit për uljen e temperaturës dhe lehtësimin e dhimbjes
- Ofrimin e lëngjeve të shumta, për të shmangur dehidratimin
- Ushqime të buta dhe të freskëta, që mos të irritojnë fytin
Në rastet kur fëmija përjeton infeksione të përsëritura, mjeku mund të këshillojë një vizitë me mjekun otolaringolog(ORL) – specialist i veshit, hundës dhe fytit.Fjalë kyçe: Fyti i skuqur, Bajamet, Infeksion, Fëmijët, Streptokoku, Strep Test, Antibiotikë



