
Faringiti dhe Tonsiliti te fëmijët

Ankiloglosia ose gjuha e lidhur
Çfarë është fluoroza dentare dhe cilat janë shkaqet?
Fluori është një nga agjentët më të rëndësishëm në parandalimin e kariesit dentar. Burimet e fluorurit janë të ndryshme; ato më të zakonshme përfshijnë ujin e pijshëm, pastat e dhëmbëve, shplarësit, suplementet me fluor, qumështin dhe kripën e fluorizuar, etj.
Fluoroza dentare shkaktohet nga marrja e tepërt e fluorurit gjatë fëmijërisë së hershme, veçanërisht nga lindja deri në moshën 8 vjeç, periudha kur zhvillohen dhëmbët e përhershëm. Fluori ndikon në mënyrën si formohet pjesa më e jashtme që mbulon kurorën e dhëmbit (smalti), duke shkaktuar njolla dhe defekte tek dhëmbët.
Fluoroza dentare manifestohet në forma të ndryshme, nga më e lehta tek më e rënda. Rastet e lehta dhe të moderuara shfaqen si opacitete të smaltit, ndërsa rastet e rënda përfshijnë defekte të zhvillimit të smaltit, ndryshime të dukshme në ngjyrë dhe ndonjëherë ndjeshmëri të dentinës. Aktualisht, rastet e fluorozës janë në rritje, sidomos në format e lehta, kryesisht në Europë dhe SHBA.
Fluoroza zakonisht prek dhëmbët në mënyrë simetrike, por shkalla mund të ndryshojë nga një dhëmb në tjetrin. Problemi estetik që krijohet si pasojë e ndryshimit të ngjyrës së dhëmbëve është shqetësimi kryesor i atyre që i drejtohen dentistit.
Kush preket?
Nuk ka të dhëna të sakta mbi përhapjen e fluorozës në Shqipëri. Në SHBA, ajo prek afërsisht 1 në 4 persona dhe është më e shpeshtë tek adoleshentët, megjithatë rastet e rënda janë të rralla. Ajo prek si djemtë, ashtu edhe vajzat; si dhëmbët e qumështit, ashtu edhe ata të përhershëm. Natyrisht, tek dhëmbët e përhershëm problemet estetike janë më të theksuara, për shkak se ata dhëmbë janë të përhershëm.
Komplikacionet
Në rastet e lehta dhe të moderuara të fluorozës dentare, dhëmbët janë më rezistentë ndaj kariesit për shkak të efekteve mbrojtëse të fluorurit. Megjithatë, fluorozat e rënda dëmtojnë smaltin dhe dentinën, duke rritur rrezikun për karies, ndjeshmëri, ndryshim ngjyre dhe konsumim të dhëmbëve, gjë që ndikon negativisht në estetikë, funksion dhe jetëgjatësi.
Gjithashtu, pacientët me fluorozë dentare të rëndë mund të jenë në rrezik edhe për fluorozë skeletore.
Parandalimi dhe trajtimi
Trajtimi i fluorozës dentare duhet të jetë i personalizuar dhe sa më pak invaziv, me fokus në parandalimin që nga lindja, përmes edukimit të kujdestarëve/prindërve dhe kontrollit të niveleve të fluorit. Parandalimi nuk është më efektiv nëse shenjat e fluorozës janë tashmë të pranishme.
Duke qenë se fluoroza zhvillohet gjatë fëmijërisë, nga lindja deri në moshën 8-vjeçare, parandalimi duhet të nisë herët. Disa nga masat parandaluese përfshijnë supervizimin e fëmijëve gjatë larjes së dhëmbëve dhe inkurajimin për të mos gëlltitur pastën e dhëmbëve me përmbajtje fluori.
Është e rëndësishme që niveli i fluorurit të jetë optimal, në mënyrë që të minimizohet rreziku i efekteve negative.
Rastet e lehta zakonisht nuk kërkojnë trajtim, përveçse për arsye estetike. Zbardhja e dhëmbëve, mikroabrazioni dhe infiltrimi me rezinë janë opsione efektive dhe konservative. Rastet më të avancuara mund të kenë nevojë për mbushje kompoziti, faseta ose kurora – por këto janë më invazive dhe kërkojnë mirëmbajtje afatgjatë.
Pacientët duhet të jenë plotësisht të informuar për të gjitha rreziqet, veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtime invazive.
Fjalë kyçe: fluori, pasta e dhëmbëve, fluorizimi i ujit



