
DISFUNKSIONI I ARTIKULLACIONIT TEMPOROMANDIBULAR (TMJ)

Sëmundja e duarve, këmbëve dhe gojës
Të kuptuarit e zhvillimit motorik te fëmijët mund të jetë e vështirë për prindërit.
Mund të pyesni veten: “A është vonesa në ngritjen në këmbë diçka për t’u shqetësuar?” ose “Pse fëmija im nuk po ecën ende?”.
Zhvillimi motorik është mënyra se si fëmijët mësojnë të kontrollojnë trupin e tyre. Në zhvillimin motorik duhet të kemi parasysh motorikën grose (lëvizje si zvarritja, ecja, ngjitja dhe zbritja e shkallëve) dhe motorikën fine (lëvizje si kapja e lodrave, zbërthimi i kopsave, mbajtja e një lapsi etj.). Ndonjëherë fëmijët i arrijnë këta gurë zhvillimi më vonë se mosha e pritur.
Faktorët të cilët ndikojnë në këtë gjë mund të jenë:
- Lindja e parakohshme (prematuriteti)
- Prania e një sëmundjeje si sindroma Down, paraliza etj.
- Faktorët mjedisorë: më pak kohë loje, hapësira të vogla ose mungesë mundësish për të praktikuar lëvizje të reja.
- Dhënia e gjërave gjithmonë gati nga prindërit, duke u treguar hiperprotektivë (shumë mbrojtës).
Disa nga shenjat që nuk duhen neglizhuar janë:
- Kontroll i dobët i kokës pas muajit të 6-të
- Mungesa e rrotullimit barkas–shpinë, shpinë–barkas në muajin e 8-të
- Mungesa e uljes së pavarur pas muajit të 12-të
- Mungesa e ecjes së pavarur pas muajit të 18-të
Rëndësi të madhe ka njohja e shenjave, të cilat jo gjithmonë tregojnë për një problem madhor, por sugjerohet gjithsesi vlerësimi nga mjeku pediatër dhe specialistë të tjerë të fushës si fizioterapisti pediatrik.
Për të parandaluar vonesat e zhvillimit motorik në vitet e para të jetës sugjerohet:
- Praktikimi i lojës barkas që në ditën e parë
- Lojë aktive në pozicione të ndryshme muaj pas muaji si loja në shpinë, loja barkas, loja anash etj.
- Reduktimi i qëndrimit në shpinë, në relakse, sexholino
- Shmangia e përdorimit të rrethoreve dhe ekspozimit ndaj ekraneve
Mos harro! Lëvizja është jetë. Ndaj parandalo vonesat me anë të saj!
Fjalë kyçe: Zhvillim, motorika grose, motorika fine, ndërhyrja e hershme, vonesa.



