
Oksigjenoterapia në shtëpi

Sindromi i Shock-ut
Kur është normale dhe faktorët që ndikojnë?
Temperatura e trupit është një parametër i rëndësishëm për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të të rriturve dhe të fëmijëve, prandaj duhet që vlerat të ruhen sa më afër shifrave normale. Temperatura normale e trupit, në përgjithësi, është rreth 37 °C. Megjithatë, ka disa faktorë që mund të ndikojnë në vlerat normale, si: temperatura e ambientit të jashtëm, aktiviteti fizik, si dhe ajo që konsumoni gjatë ngrënies dhe pijes.
Natyrisht, një temperaturë e trupit shumë e lartë, rreth 40 °C, ose shumë e ulët mund të jetë shqetësuese. Për këtë arsye, është e rëndësishme të dini cilat janë vlerat optimale, në mënyrë që të shmangni rreziqet. Në këto raste, është e këshillueshme që të kontaktoni mjekun për një diagnozë të saktë.
Kur matni temperaturën dhe e krahasoni atë me parametrat normalë, është e rëndësishme të mbani parasysh faktorë të tillë si mosha, gjinia, mjedisi, stresi dhe madje edhe koha e ditës, pra nëse matet gjatë ditës apo natës.
- Mosha: Foshnjat zakonisht kanë një temperaturë të paqëndrueshme të trupit, ndërsa për njerëzit e moshuar është normale një temperaturë edhe nën 36 °C.
- Koha e ditës: Temperatura e trupit është më e ulët në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 5:00, ndërsa tenton të rritet deri në orën 18:00.


Cilat janë vlerat normale të temperaturës së trupit dhe si matet ajo?
Koncepti i temperaturës normale të trupit, jo më shumë se 37 °C, u vendos në mesin e shekullit të 19-të nga mjeku gjerman Karl Wunderlich, dhe ky standard është ruajtur deri më sot. Edhe pse temperatura është një faktor individual, ekziston një mesatare referimi për temperaturën normale të trupit që mund të shkojë nga 36.6 °C në 37 °C te të rriturit.
Fëmijët e vegjël mund të kenë një temperaturë normale trupore pak më të lartë se të rriturit. Te foshnjat, diapazoni normal varion nga 34.7 °C në 37.7 °C, prandaj një temperaturë që tejkalon 38 °C konsiderohet ethe. Te fëmijët më të rritur, vlerat normale janë të ngjashme me ato të të rriturve, dmth midis 36 °C dhe 37 °C.
Edhe metoda e matjes ndikon në vlerat e temperaturës, ku ndërmjet matjes rektale dhe asaj aksilare mund të ketë deri në 1 °C ndryshim. Një tjetër metodë është ajo nëpërmjet gojës, me termometra digjitalë që matin temperaturën e brendshme, e cila mund të ndikohet nga konsumimi i ushqimeve dhe/ose pijeve të nxehta apo të ftohta.Me një termometër elektronik të pajisur me sensor në majë, është e mundur të matet temperatura e veshit ose e timpanit. Kjo është një matje e shpejtë dhe e lehtë, e përshtatshme për fëmijët dhe të moshuarit. Megjithatë, kjo metodë nuk rekomandohet në rast se pacienti ka sekrecione të bollshme ose dëmtime të kanalit të veshit.
Shkaqet e Rritjes së Temperaturës
Temperatura e trupit kontrollohet nga një qendër rregullimi në tru, më saktësisht nga një gjëndër e quajtur hipotalamus. Një rritje e temperaturës së trupit mbi 37 °C është një shenjë se trupi po lufton dhe konsiderohet një përgjigje mbrojtëse ndaj infeksionit ose lëndimit. Kjo ndodh sepse temperatura e ngritur aktivizon mekanizmat mbrojtës të trupit.
Ekspozimi ndaj të ftohtit, përdorimi i tepruar i alkoolit, abuzimi me drogën, por edhe disa sëmundje, si ato të tiroides, veshkave, mëlçisë dhe trurit, mund të shkaktojnë një temperaturë të ulët të trupit, nën 36 °C.Shumë sëmundje kanë si simptomë temperaturën e ngritur. Shkaku i etheve akute te të rriturit shpesh është një sëmundje ngjitëse ose një infeksion akut i sistemit respirator, tretës, urinar, gjenital apo infeksione të lëkurës. Te fëmijët e vegjël, duhet të merren parasysh edhe faktorë të tjerë, si reagimi ndaj vaksinave, dehidratimi i organizmit apo dalja e dhëmbëve.
Mjekimi
Temperatura pak e ngritur e trupit nuk ka nevojë për trajtim. Për të lehtësuar simptomat, këshillohet të hiqen veshjet e tepërta dhe të bëhet një dush me ujë të vakët.
Reduktimi i temperaturës kërkohet kur ajo arrin 38 °C, e matur nën sqetull. Ilaçet që përdoren për uljen e temperaturës quhen antipiretikë dhe janë në dispozicion në formën e tabletave, shurupeve dhe supozitorëve rektalë. Antipiretiku më i përdorur është paracetamoli, i cili, për shkak të raportit të mirë të efektivitetit dhe sigurisë, është rekomandimi i parë në udhëzimet për trajtimin e dhimbjes dhe temperaturës së ngritur të trupit.
Në rastet kur pacienti ka dhimbje koke të forta, ngurtësim të qafës, skuqje, takikardi, ndryshime në gjendjen mendore dhe temperaturë mbi 40 °C, kërkohet ndërhyrje urgjente mjekësore në spital.
Key words: temperatura, infeksionet, sëmundje, fëmijët.