
Infeksioni Gastrik i Shkaktuar nga Helicobacter pylori: Një Vështrim i Detajuar

Hepatiti B dhe C: Infeksionet Virale të Mëlçisë
Kandidoza orale, e njohur ndryshe si stomatiti mykotik, është një infeksion i kavitetit oral i shkaktuar nga myku i gjinisë Candida, në pjesën më të madhe të rasteve nga Candida albicans. Candida është pjesë e mikroflorës normale të kavitetit oral, por mund të shumohen dhe të shkaktojnë simptoma te fëmijët dhe te të moshuarit, në rastet e uljes së mbrojtjes imunitare nga një sëmundje (HIV/AIDS) dhe përdorimi i medikamenteve si antibiotikë, steroide, etj.
Kandidoza ka disa forma, të cilat ndryshojnë nga njëra tjetra dhe manifestohen klinikisht si lezione të bardha ose të kuqe. Nuk dihet arsyeja përse kandidoza manifesohet në forma të ndryshme, sepse të gjitha këto forma shkaktohen nga myku Candida.
Simptomat e Kandidozës Akute Pseudomembranoze
Simptomat kryesore të kandidozës orale përfshijnë:
- Njolla të bardha kremoze në gjuhë, pjesën e brendshme të faqeve dhe më rrallë në dyshemenë e gojës, gingiva dhe bajame (tonsila).
- Dhimbje ose djegie në gojë.
- Vështirësi në gëlltitje.
- Ndjesi thatësie në gojë.
- Plasaritje dhe skuqje në cepa të gojës.
- Skuqeje, irritim dhe dhimbje poshtë protezës.
Përveç simptomave të mësipërme, foshnjet mund të kenë vështirësi në ushqyerje dhe të transmetojnë infeksionin tek nënat gjatë ushqyerjes në gji.
Kush Preket nga Kandidoza Akute Pseudomembranoze?
Kandidoza është më e zakonshme tek foshnjet, të moshuarit dhe individët me sistem imunitar të dobësuar. Rreth 90% e pacientëve me HIV zhvillojnë kandidozë gjatë jetës së tyre.
Kandidoza është më e zakonshme tek të porsalindurit, megjithëse është e rrallë gjatë javës së parë dhe pas muajit të gjashtë. Më shpesh haset në javën e katërt të jetës.
Shkaqet
Një sërë faktorësh mund të rrisin rrezikun për infeksion nga Candida:
- Dobësimi i sistemit imunitar: Për shkak të sistemit imunitar më të dobët, kandidoza prek më shpesh fëmijët dhe të moshuarit, të prekurit nga HIV/AIDS, etj.
- Medikamentet: Prednisoni, kortikosteroidet dhe antibiotikët mund të prishin balancën e mikroflorës orale.
- Diabeti: Nivelet e larta të sheqerit në pështymë favorizojnë rritjen e Candida në gojë.
- Protezat: Sidomos nëse qëndrojnë në gojë edhe gjatë natës, krijojnë një ambient ideal për shumimin e Candida.
- Stresi: Stresi psikofizik mund të ulë mbrojtjen imunitare.
Trajtimi
Trajtimi me antifungale lokale dhe higjiena orale janë të mjaftueshme për të zgjidhur shumicën e rasteve të lehta të kandidozës orale. Antifungalet lokale, si nistatina, miconazoli dhe ketokonazoli, përdoren në trajtimin e formave të lehta. Nistatina përdoret gjerësisht dhe është e disponueshme në formulime të ndryshme si shplarja dhe spraj. Kohëzgjatja e trajtimit është zakonisht dy javë. Format e moderuara dhe të rënda trajtohen në përgjithësi me fluconazole në formë tabletash për 1 deri në 2 javë.
Probiotikët luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në trajtimin e infeksioneve mykotike duke ndihmuar në rivendosjen e balancës së florës mikrobike.