
Kanceri i mushkërive

Kanceri i zorres së trashë
Kanceri i qafës së mitrës – sëmundje e parandalueshme
Pjesë e ekzaminimit parandalues vjetor të gjinekologut tuaj është testimi për zhvillimin e ndryshimeve malinje të qafës së mitrës (cerviksit). Çdo vit, në mbarë botën, vdesin 275,000 gra, gjë që e bën kancerin e qafës së mitrës të renditet i dyti për nga frekuenca e kancerit tek gratë. Gratë e zhvillojnë këtë sëmundje kryesisht në moshat 30-50 vjeç, duke përbërë në këtë mënyrë kërcënim për integritetin e familjeve.
Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje që mund të parandalohet lehtë nëse sëmundja apo virusi që e shkakton kapet në një fazë të hershme.
Ç’është HPV-ja?
Virusi i papilomës humane (HPV) është një virus i zakonshëm që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës. Të gjitha tipet e HPV transmetohen nëpërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë. Disa prej tyre mund të shkaktojnë lytha, ndërsa të tjerët mund të çojnë në anomali të qelizave që zhvillojnë kancer.
Për shumë gra, HPV nuk përbën problem, sepse ato janë të afta ta luftojnë infeksionin para se ai të shkaktojë probleme. Për të tjera, infeksioni persiston. Burrat gjithashtu mund të infektohen me HPV dhe t’ia transmetojnë të tjerëve, por shumë rrallë HPV shkakton kancer tek burrat.
Ç’lidhje ka HPV me kancerin e qafës së mitrës?
Ka rreth 150 tipe të HPV-së, nga të cilat 30 prekin zonën gjenitale, duke shkaktuar kancer. Kur një grua infektohet me një HPV me rrezik të lartë, ajo mund të mos jetë e aftë ta luftojë infeksionin. Nëse virusi nuk identifikohet dhe trajtohet herët, në cerviks mund të formohen qeliza anormale që mund të zhvillohen në kancer të qafës së mitrës.
Si mund të infektohem me HPV?
HPV është një virus shumë infektiv dhe 80% e popullatës infektohet të paktën një herë në jetë me të. HPV transmetohet nga kontakti lëkurë me lëkurë, ashtu si dhe nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Ju mund ta keni virusin, por ai mund të mos shkaktojë probleme dhe të qëndrojë i fjetur në qelizat e cerviksit për muaj e vite, duke mos u identifikuar derisa të riaktivizohet dhe të shkaktojë formimin e qelizave anormale. Prandaj, është e rëndësishme të kryhen rregullisht testime për HPV-në.
Si mund ta di nëse kam HPV?
HPV zakonisht nuk shfaq simptoma – ju mund ta keni dhe të mos e dini. Digene HPV Test përcakton nëse ju keni një ose më shumë nga 13 tipet e virusit që shkaktojnë kancer. Kjo analizë nuk kërkon procedura të tjera shtesë dhe kryhet në laborator nga mostra të mbledhura në qafën e mitrës gjatë një ekzaminimi pelvik, në të njëjtën mënyrë që kryhet edhe Pap testi.
Si e parandalon analiza e duhur kancerin e qafës së mitrës?
Pap testi është hapi i parë në diagnostikimin e kancerit të qafës së mitrës. Mostra me qelizat cervikale dërgohet në laborator, ku ekzaminohet me mikroskop për ndryshimet anormale të shkaktuara nga HPV. Nëse qelizat rezultojnë anormale, kryhet një ekzaminim tjetër i quajtur kolposkopi. Nëse qelizat anormale kapen herët, ato mund të hiqen para se të zhvillohet kanceri.
Pap testi nuk është gjithmonë i besueshëm, sepse nuk e zbulon direkt HPV-në. Ai varet nga cilësia e mostrës së qelizave dhe niveli i përgatitjes së personit që i analizon ato. Nganjëherë, rezultatet negative dalin pozitive për HPV (studimet tregojnë se Pap testi dështon së identifikuari qelizat anormale në 53% të rasteve). Në disa raste, qelizat mund të duken anormale edhe kur nuk janë.
Analiza molekulare e HPV-së
Testimi i HPV-së kryhet gjithashtu në një mostër qelizash cervikale dhe shpesh me të njëjtën mostër të marrë për Pap test. Teknologjia molekulare është shumë e avancuar për të zbuluar direkt tipet e HPV-së që shkaktojnë 93% të rasteve me parakancer. Kjo është një metodë gjerësisht e pranuar dhe e vlerësuar së bashku me Pap testin. Informacioni nëse keni HPV ju tregon që jeni në rrezik për kancerin e qafës së mitrës dhe nëse ju nevojiten ose jo analiza të tjera.
