
Hipoglicemia dhe Mjekimi i Saj
Paracetamoli
Çfarë është Miokarditi?
Miokarditi është një sëmundje që prek muskujt e zemrës, të quajtur miokard. Kjo sëmundje bën që muskuli i zemrës të dobësohet dhe të mos jetë në gjendje të dërgojë gjak të mjaftueshëm në pjesët e tjera të trupit.
Kush e Shkakton Miokarditin?
Te fëmijët, shkaku më i zakonshëm i miokarditit është një infeksion viral. Shkaqe të tjera më të rralla mund të jenë toksinat, sëmundjet autoimune (që lidhen me probleme të sistemit imunitar), disa barna, etj.
Cilat janë Shënjat e Miokarditit?
Shenjat më të zakonshme të miokarditit përfshijnë:
- Dhimbje gjoksi
- Lodhje dhe dobësi trupore
- Rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës (të quajtura aritmi)
- Vështirësi në frymëmarrje
- Shenja të ngjashme me gripin, si dhimbje koke, dhimbje trupi, të vjella dhe temperaturë
Nëse fëmija ankohet për dhimbje gjoksi të pashpjegueshme ose vështirësi në frymëmarrje, kërkimi i ndihmës së menjëhershme mjekësore është i domosdoshëm.
Si Diagnostikohet Miokarditi?
Është e rëndësishme që miokarditi të diagnostikohet sa më herët. Profesionisti i kujdesit shëndetësor dëgjon zemrën me stetoskop për të kontrolluar rrahjet e zemrës, të cilat në rastet e miokarditit janë të parregullta (aritmi) dhe më të shpejta.



Egzaminimet më të Zakonshme që Vërtetojnë Diagnozën e Miokarditit Përfshijnë:
- Elektrokardiograma (EKG): Ky test i shpejtë dhe pa dhimbje tregon si janë rrahjet e zemrës.
- Radiografia e gjoksit: Tregon madhësinë e zemrës, e cila në rastin e miokarditit është më e madhe se në normë.
- EKO e zemrës: Tregon pamje të madhësisë së zemrës dhe se sa mirë rrjedh gjaku në zemër.
- Testet e gjakut: Tregojnë për praninë e infeksionit dhe inflamacionit, si edhe për të dhëna që tregojnë se muskuli i zemrës po vuan.
Si Mjekohet Miokarditi?
Fëmija duhet të shtrohet në spital dhe, në format më të rënda, në terapi intensive. Mjekimet (barnat) kanë për qëllim të lehtësojnë punën e zemrës dhe të luftojnë aritminë. Shumë e rëndësishme është ndjekja e vazhdueshme përmes monitorëve e funksionit të zemrës.
Fjalë Kyçe: Miokarditi, zemër, aritmi, virus.