
Gurët në tëmth

Llojet e Malokluzioneve dhe Koha e Trajtimit të Tyre
Të qenit aktiv çdo ditë është thelbësor për një rritje të shëndetshme të fëmijëve. Efektet pozitive që sjell aktiviteti i rregullt fizik përfshijnë: forcimin e muskujve, forcimin e kockave, mushkëri dhe zemër më të shëndetshme, performancë akademike më të mirë, më shumë energji dhe peshë trupore të kontrolluar.
Bebet (0-12 muajshe) duhet të nxiten të jenë aktivë me anë të lojës gjatë ditës, në mënyra të ndryshme, si loja barkas, ecja këmbadorazi etj. Nëse ende nuk janë në gjendje të zvarriten, atëherë duhen nxitur të jenë aktivë duke kapur me duar objekte, duke u zgjatur, duke tërhequr ose duke shtyrë lodra të ndryshme. Sugjerohet minimumi 30 minuta lojë barkas, e shpërndarë gjatë ditës, dhe nuk rekomandohet ekspozimi ndaj ekraneve në 24 muajt e parë të jetës.
Fëmijët 1-2 vjeç, sipas udhëzimeve për aktivitetin fizik, duhet të jenë aktivë për 180 minuta çdo ditë, normalisht me kohë të shpërndarë gjatë ditës në sete të shkurtra loje. Aktivitetet e rekomanduara për këtë moshë janë më energjike, si ngjitja, zbritja e shkallëve, kërcimi etj.
Fëmijët parashkollorë (4-6 vjeç) duhet të jenë aktivë të paktën 180 minuta çdo ditë. Sa më shumë, aq më mirë. Të paktën 60 minuta duhet të jenë me aktivitet fizik të moderuar. Fëmijët e kësaj moshe duhet të reduktojnë sa më shumë të jetë e mundur qëndrimin ulur për një kohë të gjatë ose ekspozimin ndaj ekraneve për periudha të tejzgjatura.
Fëmijët 5-18 vjeç, sipas udhëzimeve të Akademisë Amerikane të Pediatrisë, duhet:
• Të kryejnë të paktën 60 minuta çdo ditë aktivitet fizik të moderuar ose intensiv, si vrapimi, kërcimi, noti, ngarja e biçikletës, hedhja me litar etj.
• Të marrin pjesë në aktivitete të larmishme me intensitet të ndryshëm, të cilat synojnë forcimin e muskujve dhe kockave, si gjimnastika, futbolli, artet marciale etj.
• Të reduktojnë sa më shumë kohën pasive dhe qëndrimin ulur për periudha të gjata.
• Të bëjnë pushime të shkurtra gjatë ditës herë pas here.
Duhet përmendur edhe siguria gjatë kryerjes së aktivitetit fizik. Bebet dhe fëmijët më të vegjël se 5 vjeç duhet të jenë gjithmonë nën vëzhgimin e prindërve. Gjithashtu, prindërit duhet të informohen në lidhje me rekomandimet e duhura për kryerjen e aktivitetit fizik të përshtatur sipas moshës dhe nevojave të fëmijës. Duhet pasur parasysh që ushtrimet të fillojnë gradualisht, ngadalë dhe të përdoren mjete mbrojtëse nëse është e nevojshme.
Fjalë kyçe: fëmijë, aktivitet fizik, lojë aktive, ushtrime, shëndet, muskuj, kocka.