
Pneumotoraksi

Infeksioni Gastrik i Shkaktuar nga Helicobacter pylori: Një Vështrim i Detajuar
Çfarë është astma te fëmijët?
Astma është një sëmundje kronike që shkakton ngushtim të rrugëve të ajrit (bronkokonstriksion), duke sjellë simptoma si fishkëllima (wheezing). Kjo është sëmundja kronike më e zakonshme te fëmijët, që prek rreth 15-20% të tyre.
Në pjesën më të madhe të rasteve, simptomat e astmës mund të kontrollohen, por ajo vazhdon të jetë një shkak i rëndësishëm i mungesave në shkollë, kufizimit të aktiviteteve dhe ankthit për fëmijën dhe familjen.
Cilat janë shenjat e astmës te fëmijët?
Jo të gjithë fëmijët kanë të njëjtat shenja të astmës. Për më tepër, edhe te i njëjti fëmijë, shenjat mund të ndryshojnë nga një episod në tjetrin. Shenjat dhe simptomat e astmës te fëmijët përfshijnë:
- Atake kolla që ndodhin kur fëmija luan ose qesh. Kolla mund të shfaqet edhe gjatë natës ose në zgjim.
- Lodhje e shpejtë gjatë lojës.
- Shpeshtim i frymëmarrjes ose frymëmarrje e vështirësuar (dispnea).
- Ankim për shtrëngim ose dhimbje në gjoks.
- Dëgjimi i një zhurme fishkëllimi (wheezing) kur fëmija merr frymë.
- Shqetësim dhe nervozizëm i fëmijës.
Astma shfaqet në formë krizash dhe gjatë një krize, shenjat mund të përkeqësohen dhe ndonjëherë mund të jenë kërcënuese për jetën.
Çfarë e shkakton astmën te fëmijët?
Shkaqet e astmës te fëmijët nuk janë plotësisht të njohura. Disa faktorë të ndryshëm mendohet se kontribuojnë, duke përfshirë:
- Një prirje familjare për të pasur alergji (prindërit ose të afërmit e tjerë me astmë).
- Ndjeshmëria e rritur e sistemit imunitar të fëmijës ndaj një faktori ngacmues, e cila bën që rrugët e ajrit të ënjten dhe të shtojnë prodhimin e mukusit, duke vështirësuar kalimin e ajrit dhe shkaktuar simptomat e përmendura më sipër.
Shenjat e astmës zakonisht shfaqen kur fëmija ekspozohet ndaj faktorëve shpërthyes si:
- Infeksionet virale, si rufa e zakonshme.
- Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit, si tymi i duhanit ose ndotësve të tjerë të ajrit.
- Alergjitë ndaj pluhurave të shtëpisë, polenit, mykut ose kafshëve shtëpiake.
- Ndryshimet e motit ose ekspozimi ndaj ajrit të ftohtë.
Si diagnostikohet astma te fëmijët?
Diagnoza e astmës, sidomos te fëmijët nën moshën 6 vjeç, shpesh është e vështirë. Nëse fëmija paraqet shenjat e përmendura më sipër, është e rëndësishme të kërkohet ndihma e një mjeku, idealisht një pediatër specialist për sëmundjet e mushkërive (pneumolog).
Mjeku mund të kërkojë disa teste për të ndihmuar në diagnozë, duke përfshirë:
- Testet e funksionit të mushkërive: Këto teste kryhen te fëmijët mbi moshën 6 vjeç.
- Testet e alergjisë.
- Radiografi të toraksit: Kryhet kur kërkohet nga mjeku për të përjashtuar sëmundje të tjera që mund të kenë shenja të ngjashme me astmën.
Si mjekohet astma te fëmijët?
Barnat për trajtimin e astmës ndahen në dy grupe kryesore:
- Barna për qetësimin e simptomave: B2-stimuluesit me veprim të shkurtër, si salbutamoli (Ventolina), që administrohen me inhalim. Këto përdoren për të qetësuar simptomat kur fëmija ka vështirësi me frymëmarrjen. Mënyra e administrimit ndryshon sipas grupmoshave dhe kërkon udhëzime specifike nga punonjësit shëndetësorë.
- Barna për parandalimin e përsëritjes së simptomave: Steroidet me inhalim janë barnat parandaluese më efektive për të menaxhuar dhe parandaluar përkeqësimet e astmës. Edhe këto kërkojnë udhëzime nga punonjësit shëndetësorë për mënyrën e administrimit, bazuar në moshën e fëmijës.


Është shumë e rëndësishme në mjekimin e astmës që, në bashkëpunim me mjekun ose infermierin, të hartohet një plan mjekimi dhe kontrolli. Ky plan duhet t’u bëhet i njohur edhe kujdestarëve përkatës të fëmijëve në kopshte dhe shkolla, për të siguruar një menaxhim të vazhdueshëm dhe efektiv të gjendjes.