
AFTA

Astma te fëmijët
Pneumotoraksi (PNX) është grumbullimi jo normal i ajrit brenda zgavrës së kraharorit (toraksit), në hapësirën që normalisht është e zënë nga indet e mushkërive. Kjo ndodh për shkak të futjes së ajrit në hapësirën pleurale, duke shkaktuar shtypjen e mushkërisë. Pneumotoraksi mund të rezultojë në një kolaps (shtypje) të plotë të mushkërive ose në një kolaps të pjesshëm, ku preket vetëm një pjesë e mushkërive (PNX parcial ose i pjesshëm).
Pneumotoraksi prek afërsisht një në çdo 10,000 persona. Më shpesh preken meshkujt, veçanërisht ata me trup të hollë dhe të gjatë, si dhe duhanpirësit. Incidenca e paraqitjes së pneumotoraksit është 28 raste për 100,000 individë në vit te meshkujt.
Shkaqet: PNX mund të shkaktohet nga një dëmtim i toraksit me një mjet të mprehtë ose depërtues në gjoks, nga disa procedura mjekësore si kryerja e punksionit pleural dhe biopsisë pleurës, ose nga dëmtime prej sëmundjeve të ndryshme të mushkërive, si emfizema etj. PNX mund të ndodhë edhe pa ndonjë arsye të dukshme në mënyrë spontane, ose mund të shkaktohet prej sforcimit fizik, nga kollitja ose teshtitja e fortë.
Simptomat: Në shumicën e rasteve, simptomat mungojnë. Edhe në rastet kur shfaqen simptoma, si dhimbje gjoksi apo vështirësi në frymëmarrje, rreth gjysma e këtyre pacientëve presin më shumë se dy ditë përpara se të kërkojnë ndihmën e mjekut. Simptomat zakonisht përfshijnë dhimbje të papritura në gjoks dhe dispne. Në disa raste, një kolaps total i mushkërive mund të krijojë një situatë kërcënuese për jetën.
Diagnoza e pneumotoraksit vendoset nga mjeku specialist, pra nga pneumologu ose radiologu, duke u bazuar në historinë e sëmundjes së pacientit, ekzaminimin fizik të tij dhe, veçanërisht, në radiografinë e kafazit të kraharorit, e cila bën konfirmimin e diagnozës së PNX.
Trajtimi i pneumotoraksit duhet të jetë i menjëhershëm për të larguar ajrin nga hapësira pleurale, duke i dhënë mundësi mushkërisë të rihapet. Gjithashtu, trajtimi synon të ofrojë një zgjidhje përfundimtare ose të ulë rrezikun e përsëritjes së pneumotoraksit. Indikacionet për trajtim më aktiv përfshijnë vështirësinë në frymëmarrje dhe nevojën për përdorim të oksigjenit. Pacientët që paraqiten me hemodinamikë të kompromentuar, tension pneumotoraksi ose pneumotoraks bilateral, duhet të trajtohen menjëherë në mënyrë kirurgjikale, duke vendosur dren torakal.