
Kanceri kolorektal (kolonit)

Anemia Ferrodefiçitare (AFD) – Anemia nga Mungesa e Hekurit
Çfarë është Bronkioliti?
Bronkioliti është infeksioni më i zakonshëm viral i rrugëve të poshtme të frymëmarrjes (bronkiolave) te fëmijët deri në moshën 2 vjeç. Shenja kryesore është prania e fishkëllimës, e shoqëruar ose jo me frymëmarrje të vështirësuar.
Cilët janë shkaktarët e bronkiolitit?
Shkaktarë të bronkiolitit janë viruset: VRS (Virusi respirator sinsitial) në 50%-80% të rasteve, Human metapneumovirus, Rinovirusi, Adenovirusi, Virusi i Influenzës, Virusi i Parainfluenzës dhe Enteroviruset.
Cilat janë shenjat e Bronkiolitit?
Sëmundja fillon me rufë, pak kollë, temperaturë të lehtë ose mesatare dhe, brenda 2-3 ditësh, vërehet shtim i kollës. Në shumicën e rasteve, paraqitet vështirësi e lehtë në frymëmarrje dhe fishkëllima. Fëmija nuk ushqehet mirë dhe bëhet i grindur.
Shumica e fëmijëve përmirësohen pas 3-4 ditësh nga fillimi i shenjave të prekjes së bronkiolave. Në disa raste, vështirësia në frymëmarrje mund të jetë e rëndë dhe të kërkojë shtrim në spital.
A duhet të kontrollohet te mjeku fëmija me bronkiolit?
Po, fëmija duhet të kontrollohet nga mjeku (ose infermieri), sidomos nëse është nën 6 muaj, ka lindur parakohe ose ka një sëmundje tjetër shoqëruese.
Mjeku do të vërtetojë sëmundjen, do të vlerësojë rëndësinë e saj dhe do të përcaktojë nëse është e nevojshme shtrimi në spital.
Mjekimi i bronkiolitit
Në format që nuk kërkojnë shtrim në spital, trajtimi në shtëpi përfshin:
- Është e rëndësishme ndjekja çdo ditë për shenja të rëndimit të mundshëm.
- Tualeti i hundëve me solucion fiziologjik disa herë në ditë, sidomos para ushqyerjes.
- Ofrimi i lëngjeve dhe sigurimi që fëmija të ushqehet të paktën gjysmën e asaj që merr zakonisht.
Në rastet që kërkojnë shtrim në spital, trajtimi përfshin:
- Oksigjenoterapi, si element kryesor.
- Vlerësimin dhe rregullimin e hidratimit dhe ushqyerjes së sigurt të fëmijës.
- Aspirimi i butë i rrugëve të frymëmarrjes, vetëm kur është i domosdoshëm. Nuk rekomandohet aspirimi i thellë, pasi mund të rrisë edemën dhe rrezikun e infeksioneve të tjera.
A duhen përdorur antibiotikë për bronkiolitin?
Jo. Studimet tregojnë se antibiotikët nuk ndryshojnë zhvillimin e sëmundjes. Ata përdoren vetëm nëse ka shenja të një infeksioni bakterial bashkëshoqërues.
Mjekime të tjera
Përdorimi i Ventolinës me inhalim: Nuk ka efektivitet të provuar dhe nuk këshillohet për përdorim rutinë, përveçse kur e rekomandon mjeku.
Përdorimi i Adrenalinës me inhalim: Nuk duhet të përdoret në rutinë apo në kushte shtëpie.
Kortikosteroidet: Nuk këshillohen për përdorim.
Studimet e fundit mbështesin përdorimin e solucionit fiziologjik hipertonik me inhalim.
A mund ta parandalojmë Bronkiolitin?
Aktualisht nuk ka një vaksinë ndaj VRS. Parandalimi përfshin higjenën e bebes dhe të ambientit, dezinfektimin e lodrave dhe sipërfaqeve të prekura nga fëmija, përdorimin e filtrave në aparatet e aerozolit dhe dezinfektimin e tyre.