
Bronkioliti

Fruthi
Çfarë është anemia ferrodefiçitare?
Anemia ferrodefiçitare, e njohur edhe si anemia nga mungesa e hekurit, shkaktohet nga mungesa e hekurit të nevojshëm për formimin e hemoglobinës. Hekuri është një mikroelement i domosdoshëm për sintezën e saj. Hemoglobina është një proteinë e cila ndodhet në qelizat e kuqe të gjakut dhe është përgjegjëse për transportimin e oksigjenit në inde. Kur nuk ka mjaftueshëm hekur, prodhimi i hemoglobinës bie, duke shkaktuar ulje të aftësisë për të transportuar oksigjenin.
Anemia nga mungesa e hekurit është forma më e zakonshme e anemisë, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët. Ajo mund të ndikojë në zhvillimin psikomotor të fëmijëve dhe mund të çojë në probleme të sjelljes. Po ashtu, anemia mund të dobësojë sistemin imunitar për shkak të mangësisë së hekurit.
Shkaqet e shfaqjes së anemisë nga mungesa e hekurit (AFD):
Në moshën pediatrike, shkaqet e mangësisë së hekurit që çojnë në anemi janë të ndryshme dhe varen nga mosha:
• Tek i porsalinduri:
o Prematuriteti
o Anemia e thellë ferrodeficitare tek nëna
o Barra binjake
o Hemorragji e shprehur në momentin e lindjes
• Tek fëmijët e vegjël:
o Ushqyerja vetëm me gji pas muajit të 6-të
o Ushqyerja pas muajit të 6-të me qumësht lope në vend të formulave të pasuruara me hekur
o Rritja e shpejtë
o Parazitoza intestinale
o Patologji të traktit tretës që pengojnë thithjen e hekurit, si sëmundja e celiakisë
o Hemorragji të përsëritura
• Në adoleshencë:
o Rritja e shpejtë e trupit
o Aktiviteti fizik dhe sportiv i rritur
o Hormoni testosteron që nxit eritropoezën tek meshkujt
o Fillimi i menstruacioneve tek femrat
Klinika e anemisë ferrodefiçitare:
Anemia ferrodefiçitare zhvillohet gradualisht dhe shpesh kalon pa simptoma të dukshme për një periudhë të gjatë, duke bërë që diagnoza të vendoset më vonë. Simptomat përfshijnë:
• Lodhje e lehtë
• Zbehtësi e lëkurës dhe e sklerave
• Thyerje e thonjve dhe dobësim i flokëve
• Ulje e oreksit dhe dëshirë për të ngrënë materiale të ngurta si dheu
• Plasaritje e këndeve të buzëve dhe ndryshime në gjuhë
• Infeksione të shpeshta dhe rënie në peshë
Terapia e anemisë ferrodefiçitare:
Korrigjimi i anemisë bëhet kryesisht me marrjen e preparateve të hekurit. Terapia mund të kryhet përmes:
• Dozave të hekurit të përshkruara nga mjeku, që duhet të merren në stomak bosh (gjysmë ore para ushqimit ose 1.5-2 orë pas ushqimit)
• Shoqëruar me vitamina C, që ndihmon në përthithjen e hekurit
• Kohëzgjatja e terapisë është zakonisht 3 deri në 6 muaj për të normalizuar depozitimin e hekurit
• Ushqim i pasur me hekur dhe vitamina, si mishi i kuq, drithërat integrale, bishtajoret dhe fruta të ndryshme
Rekomandime për parandalimin e anemisë nga mungesa e hekurit:
• Fëmijët e lindur prematurë apo binjakë duhet të fillojnë terapinë me hekur që në muajin e dytë të jetës deri në të katërtin.
• Ushqimi i përshtatshëm sipas moshës dhe periudhave kritike
• Vlerësimi i zhvillimit të fëmijës gjatë pubertetit për të diagnostikuar aneminë në fazat më të hershme.