
Rinofaringiti rrufa dhe kolla te fëmijët

SËMUNDJA E MISHRAVE TË DHËMBËVE (PERIODONTITI)
Dhimbja në kraharor është dhimbje në pjesën e përparme të gjoksit, midis qafës dhe pjesës së sipërme të barkut, e cila mund të perceptohet në forma të ndryshme: nga një therje e mprehtë, deri te një dhimbje e shurdhër, ndjesi shtrënguese ose djegieje. Në disa raste, dhimbja përhapet drejt qafës, kalon në nofull dhe më pas shtrihet në shpinë ose poshtë njërit apo të dy krahëve. Shkaku i kësaj dhimbjeje mund të ndryshojë, duke sjellë forma të ndryshme të saj. Zakonisht, nuk lidhet drejtpërdrejt me zemrën, megjithatë, përcaktimi i shkakut pa një konsultim mjekësor mund të jetë i vështirë. Gjithsesi, është e rëndësishme të njihemi me shkaqet kryesore të dhimbjes së gjoksit, të cilat janë:
Dhimbjet e gjoksit të lidhura me zemrën. Dhimbjet e gjoksit shpesh lidhen me sëmundje të zemrës, megjithatë shumë persona me probleme zemre ndiejnë vetëm një shqetësim të lehtë që nuk përjetohet domosdoshmërisht si dhimbje. Kur shkaku është një atak në zemër ose një çrregullim tjetër i zemrës (si angina, infarkti, çarja e aortës, apo perikarditi), i sëmuri mund të përjetojë: ndjenjë shtrëngimi, djegie ose presion në gjoks, që përhapet drejt shpinës, qafës, nofullës, shpatullave ose njërës apo të dy krahëve. Dhimbja mund të zgjasë më shumë se disa minuta, të përkeqësohet me aktivitet fizik, të largohet dhe të rikthehet, ose të ndryshojë në intensitet. Shenja të tjera përfshijnë: frymëmarrje të shkurtër, djersë të ftohta, marramendje ose humbje ndjenjash, rrahje të shpejta të zemrës, të përziera ose të vjella. Simptomat klasike të urthit (një ndjesi djegieje pas gjoksit) mund të shfaqen gjithashtu për shkak të problemeve me zemrën ose stomakun.
Shkaqet e tjera të dhimbjes së gjoksit
Mund të jetë e vështirë të përcaktohet nëse dhimbja e gjoksit lidhet me zemrën apo shkaktohet nga faktorë të tjerë. Nëse dhimbja shoqërohet me simptomat e mëposhtme, ka më pak gjasa të jetë e lidhur me një problem të zemrës. Këto simptoma përfshijnë: një shije të thartë ose ndjesinë e kthimit të ushqimit në gojë, vështirësi në gëlltitje, dhimbje që lehtësohet ose përkeqësohet kur ndryshohet pozicioni i trupit, dhimbje që rëndohet nga frymëmarrja e thellë ose kollitja, ndjeshmëri e shtuar në shtypjen e gjoksit, dhe, së fundmi, një dhimbje që zgjat për shumë orë. Ndër to bëjnë pjesë:
Dhimbjet e gjoksit të lidhura me sistemin e tretjes, si pasojë e refluksit gastro-ezofageal që shoqërohet me urth, apo çrregullime të gëlltitjes, gurët dhe infeksionet në fshikëzën e tëmthit, apo në pankreas, spazmat dhe çarja e ezofagut, herniet hiatale (hapësirat përmes diafragmës), etj.
Dhimbjet e gjoksit të lidhura me muskujt dhe kockat e kraharorit, të shkaktuara, p.sh., nga infeksioni i kërcit të kafazit të kraharorit që lidh brinjët me dërrasën e gjoksit, dëmtimet e muskujve të kraharorit, apo një brinjë e thyer ose e traumatizuar, kontrakturat muskulare, etj.
Dhimbjet e gjoksit të lidhura me mushkëritë, ku ndër shkaqet kryesore përfshihen gripi, pneumonia, embolia pulmonare, pleuriti (veçanërisht pleuriti i thatë), pneumotoraksi dhe hipertensioni pulmonar.
Shkaqe të tjera të dhimbjes në gjoks mund të jenë krizat prej panikut dhe herpesi. Nëse keni periudha frike intensive të shoqëruara me dhimbje gjoksi, mund të kemi të bëjmë me një krizë paniku. Simptomat e krizave të panikut përfshijnë shpeshtim të rrahjeve të zemrës dhe të frymëmarrjes, djersitje të bollshme, gulçim, të përziera, marramendje dhe frikë nga vdekja. Mund të jetë e vështirë të bëhet dallimi midis një ataku në zemër dhe një ataku paniku. Herpesi (Zoster) mund të shkaktojë dhimbje të forta gjoksi dhe shoqërohet me një zinxhir flluskash që përhapet nga shpina në zonën e gjoksit.
Si duhet të veproni përpara një situate me dhimbje gjoksi?
Gjithmonë kërkoni ndihmë mjekësore nëse nuk jeni të sigurt për shkakun e dhimbjes së gjoksit. Kujdesi mjekësor në kohë mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes. Dhimbja e gjoksit nuk duhet të injorohet apo të nënvlerësohet; është jetike që të kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë. Nëse nuk mund të siguroni një ambulancë apo një mjet tjetër urgjence, kërkoni ndihmë nga një fqinj ose dikush tjetër për t’ju çuar në spitalin më të afërt. Nisuni vetë me makinë vetëm nëse nuk keni asnjë alternativë tjetër!
Parandalimi i dhimbjes së gjoksit përfshin, së pari, një stil jetese të shëndetshme dhe kontrollin e faktorëve të rrezikut (dieta, duhani, presioni i lartë i gjakut, mbipesha dhe obeziteti, diabeti), si dhe kryerjen e testeve të rregullta mjekësore.