
Sinkopa Kardiake dhe Lipotimia

Çfarë duhet të dimë për dhimbjet e gjoksit?
Duhen përdorur shurupet për kollë?
Rinofaringiti është një sëmundje e shpeshtë në moshën fëminore që shkaktohet nga viruset. Fëmija shfaq temperaturë, sekrecione nga hundët (që në fillim janë të ujshme, më pas trashen dhe marrin ngjyrë të verdhë) dhe kollë.
Shumica e fëmijëve shërohen pa ndërlikime, por jo rrallë kolla shkakton stres dhe mërzitje te prindërit, të cilët kërkojnë një ilaç për pushimin e saj.
Pyetja që shtrohet zakonisht është: si të mjekojmë kollën dhe rufën te fëmijët?
Kolla është një shenjë normale e rinofaringitit që ndihmon për të lëvizur sekrecionet nga rrugët e frymëmarrjes duke mbrojtur mushkëritë. Nuk këshillohet përdorimi i ilaçeve për kollën. Për të lehtësuar simptomat e rrufës, këshillohet përdorimi i solucionit fiziologjik me pika në hundë dhe thithja e sekrecioneve të hundës. Për temperaturën këshillohet paracetamoli ose ibuprofeni (kujdes me dozën dhe oraret e dhënies sipas këshillave të mjekut, infermierit ose farmacistit). Këshillohet t’i ofrohet fëmijës herë pas here të pijë lëngje për të qëndruar i hidratuar mirë.
A duhen përdorur shurupet për kollë që gjenden me shumicë në farmaci?
Nuk ka të dhëna që përdorimi i tyre te fëmijët e vegjël nën 4 vjeç është i përshtatshëm për trajtimin e kollës dhe, për më tepër, veçanërisht te fëmijët nën 2 vjeç, mund të shkaktojë efekte të rrezikshme, sidomos kur kombinohet me antipiretikët. Nuk këshillohet të përdoren te fëmijët nën 4 vjeç. Po ashtu, nuk ka të dhëna që preparatet homeopatike për kollën të jenë të efektshme dhe të parrezikshme; prandaj, edhe ato nuk këshillohen të përdoren nën moshën 4 vjeç. Në rast se kolla prish gjumin dhe rehatinë e fëmijës, mjeku mund të përshkruajë me recetë mjekësore një medikament sipas rastit.
Prof. Dr. Evda Veveçka