
Psikozat Akute

Infeksionet në veshka
Rezistenca ndaj insulinës është një gjendje në të cilën prodhimi dhe përqendrimi i insulinës në gjak është në nivele më të ulëta se sa norma. Ose mund të quhet edhe një gjendje në të cilën qelizat e trupit tuaj bëhen rezistente ndaj efekteve metabolike të insulinës. Nuk dihet saktësisht se çfarë e shkakton rezistencën ndaj insulinës, por rolin më të madh e luan trashëgimia gjenetike, sidomos kur dikush në familje ka diabet të tipit 2. Është e zakonshme te duhanpirësit dhe te personat mbi 45 vjeç. Një arsye tjetër është stili i keq i jetesës. Megjithatë, pavarësisht nga grupet e përmendura të rrezikut, çdokush mund të zhvillojë rezistencë ndaj insulinës. Rezistenca ndaj insulinës është një term që tregon një gjendje kur efekti i insulinës në trup dobësohet, kështu që muskujt, yndyra dhe mëlçia nuk mund të përdorin glukozën nga gjaku për energji, dhe më shumë insulinë duhet të prodhohet në pankreas, prandaj niveli i sheqerit në gjak rritet me kalimin e kohës.
SHENJAT KLINIKE DHE DIAGNOZA: Për të bërë një diagnozë të saktë, është e nevojshme të bëhen disa teste. Fillimisht duhet kryer testi oral i tolerancës së glukozës, i cili përcakton nivelin e glukozës në gjak dhe urinë me stomakun bosh dhe dy orë pasi të merret një sasi e caktuar glukoze e tretur në ujë. Për këtë test është e rëndësishme të mos kryhet asnjë aktivitet fizik 24 orë para testit, si dhe nuk lejohet konsumimi i ushqimeve dhe pijeve një natë më parë. Nuk duhet të hahet apo të pihet duhan gjatë testit.
Niveli i kolesterolit të mirë do të ulet, niveli i kolesterolit të keq do të rritet dhe presioni i gjakut gjithashtu mund të rritet. Nga ana tjetër, niveli i ngritur i sheqerit në gjak mund të diagnostikohet nga etja më e fortë për ujë, urinimi më i shpeshtë, uria e shtuar, dhimbja e kokës, shërimi më i ngadalshëm i plagëve, shikimi i paqartë dhe infeksionet e shpeshta të lëkurës. Përveç kësaj, njolla të ndryshme të errëta mund të shfaqen në lëkurë. Rezistenca ndaj insulinës mund të çojë në paradiabet (prediabet), një gjendje ku nivelet e glukozës në gjak janë më të larta se normale, por jo aq të larta sa për t’u diagnostikuar si diabet.
Që të mund të vendosim diagnozën e rezistencës ndaj insulinës, duhet të përmbushen disa kritere. Konkretisht, nevojitet konstatimi i pozitivitetit të dy ose më shumë prej treguesve të mëposhtëm laboratorikë:
Glukoza plazmatike e agjërimit > 110 mg/dl
Presioni i gjakut > 140/90 mmHg
TG (Trigliceride) > 200 mg/dl
HDL < 50 mg/dl
Perimetri i belit > 94 cm (meshkuj)
Perimetri i belit > 80 cm (femra)
A ËSHTË REZISTENCA NDAJ INSULINËS E NJËJTË ME DIABETIN?
Megjithëse rezistenca ndaj insulinës dhe diabeti nuk janë të njëjta, ato janë të lidhura dhe njëra mund të ndikojë te tjetra. Edhe pse të ndërlidhura, ato janë krejt të ndryshme. Por jo të gjithë ata që janë rezistentë ndaj insulinës kanë diabet, dhe jo të gjithë njerëzit me diabet janë rezistentë ndaj insulinës!
Të dyja janë të lidhura me aftësinë e organzimit për të prodhuar ose përdorur insulinë, një hormon kyç që lejon glukozën të hyjë në qelizat e trupit nga qarkullimi i gjakut për t’u përdorur për energji. Kur dikush ka prediabet, ose diabet, ose po zhvillon rezistencë ndaj insulinës, trupi i tij nuk mund të krijojë ose përdorë saktë insulinën siç do të bënte natyrshëm. Nëse trupi juaj duhet të sekretojë më shumë insulinë se zakonisht për të menaxhuar në mënyrë adekuate nivelet e sheqerit në gjak, atëherë ju keni rezistencë ndaj insulinës.
TRAJTIMI:
Trajtimi mund të varet nga ajo që shkakton rezistencën ndaj insulinës dhe nëse jeni diagnostikuar me diabet.
Megjithatë, rezistenca ndaj insulinës rrit shanset për të zhvilluar si prediabetin, ashtu edhe, në veçanti, diabetin e tipit 2.
Kjo mund të jetë një gjendje e përkohshme ose kronike, dhe për të ruajtur nivelin e glukozës në gjak në vlera normale dhe për të parandaluar zhvillimin e diabetit të tipit 2, është e nevojshme që të trajtohet përmes ndryshimit të zakoneve të jetesës. Duhet të kryhen ushtrime të rregullta, të paktën tre herë në javë; duhet të zvogëlohet niveli i stresit; dhe shumë i rëndësishëm është gjumi i mjaftueshëm.
Njerëzit obezë duhet të humbasin peshën e tepërt, dhe vetë ushqimi luan një rol të madh. Trajtimi mund të varet gjithashtu nga ashpërsia e gjendjes dhe shkaku i rezistencës. Mjeku mund të përshkruajë ilaçe, kryesisht metforminë, e cila do të ndihmojë në kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak.
Dieta është e rëndësishme për trajtimin e kësaj gjendjeje, sepse ushqimi ka një efekt të madh si në nivelin e sheqerit në gjak, ashtu edhe në nivelin e insulinës. Menyja duhet të përmbajë ushqime me indeks glicemik të ulët si: fruta, perime, drithëra, arra, peshk, proteina dhe bishtajore. Gjithmonë duhet të përdoren ushqime me përmbajtje të mirë në fibra, minerale dhe vitamina.
Përveç kësaj, konsumi i ushqimeve me yndyrë, ëmbëlsirat dhe ushqimet e përpunuara duhet të reduktohet. Nuk rekomandohet anashkalimi i vakteve, por duhet të merren disa vakte më të vogla gjatë ditës.
Nëse kjo gjendje nuk trajtohet në kohë, mund të ndodhin komplikacione të ndryshme si: atake në zemër ose goditje në tru, sëmundje të veshkave dhe syve, kancer, dhe nivele shumë të larta ose shumë të ulëta të sheqerit në gjak. Përveç kësaj, gratë mund të përjetojnë ndryshime në ciklin menstrual, probleme të fertilitetit, si dhe shfaqje të sëmundjeve autoimune të tiroides.
Fjalë kyçe: rezistenca ndaj insulinës, niveli i glukozës në gjak, diabeti 2, sheqeri në gjak, niveli i insulinës, testi oral i tolerancës së glukozës.