
Purpura anafilaktoide (Sindromi Schönlein-Henoch) te fëmijët

Kanceri Oral / Kanceri i Gojës
Çrregullimi i Spektrit të Autizmit përfshin probleme të zhvillimit të trurit të lidhura me komunikimin dhe ndërveprimin shoqëror. Në kohët e sotme përdoret termi “spektër” për arsye se është një gjendje me shumëllojshmëri shenjash dhe shkallësh të gravitetit (nga forma shumë të lehta në forma të rënda). Ky term përmbledh disa terminologji që më parë konsideroheshin të veçanta si Autizëm, Sindroma Asperger, Dëmtim i zhvillimit të fëmijës i papërcaktuar. Disa ende edhe sot përdorin termin “Sindroma Asperger”, e cila mendohet të jetë një formë e lehtë e këtij çrregullimi.
Cilat janë shenjat e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit?
Çdo fëmijë me Çrregullim të Spektrit të Autizmit ka një model të veçantë të sjelljes dhe të gravitetit të gjendjes. Disa paraqesin shenja që në fëmijërinë e hershme, të tjerë mund të zhvillohen normalisht për muajt ose vitet e para të jetës, por papritur bëhen të tërhequr apo agresivë, ose humbasin aftësitë gjuhësore që kishin fituar. Zakonisht shenjat dallohen qartë rreth moshës 2 vjeç. Shenjat më të zakonshme janë:
- Të lidhura me komunikimin dhe ndërveprimin social si:
• Nuk përgjigjet kur e thërret me emër, ose duket sikur nuk të dëgjon
• Nuk do ta përkëdhelësh ose ta përqafosh, dhe pëlqen të luajë vetëm
• Ka kontakt të dobët me sy dhe nuk ka shprehje të fytyrës
• Nuk flet, ka vonesë në të folur, ose humbet aftësitë e fituara më parë për të folur
• Nuk mund të fillojë apo të vazhdojë një bisedë
• Përsërit fjalë ose fraza fjalë për fjalë, por nuk kupton si duhet t’i përdorë ato
• Nuk duket se kupton pyetje ose udhëzime të thjeshta
• Nuk shpreh emocione ose ndjenja, dhe duket i pandjeshëm për ndjenjat e të tjerëve
• Tregon ndërveprim social jo të përshtatshëm duke qenë pasiv, apo agresiv dhe përçarës
- Të lidhura me modelet e sjelljes
• Kryen lëvizje të përsëritura të tilla si lëkundja, rrotullimi ose përplasja e duarve
• Bën veprime që mund të shkaktojnë vetëdëmtim si kafshimi ose goditja e kokës
• Ka modele të çuditshme të lëvizjes si ngathtësia apo ecja në majë të gishtave, ngurtësi të trupit, ose lëvizje të tepruara
• Ka ndjeshmëri të tepruar ndaj dritës, zërit ose prekjes, por mund të jetë indiferent ndaj dhimbjes dhe temperaturës
• Nuk merr pjesë në lojëra me fantazi
• Pëlqen vetëm disa ushqime specifike, ose refuzon disa të tjera
• Fiksohet në një objekt ose aktivitet të caktuar në një mënyrë të tepruar, jo normale
Cilat janë shkaqet e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit?
Çrregullimi i Spektrit të Autizmit nuk ka një shkak të vetëm të njohur. Mendohet se ka shumë shkaqe, ku gjenetika dhe mjedisi mund të jenë nga më të rëndësishmet. Duhet theksuar se nuk ka asnjë lidhje të vërtetuar shkencërisht midis vaksinave dhe Çrregullimit të Spektrit të Autizmit.
Si vihet diagnoza e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit?
Nuk ka një test specifik mjekësor për të vënë diagnozën. Mjeku i fëmijës, në kontrollet e rregullta, duhet të vërejë shenja të vonesave në zhvillim, dhe po ashtu, prindi mund të vërejë shenja të dyshimta për Çrregullim të Spektrit të Autizmit. Në këto raste këshillohet konsultimi me një specialist që trajton fëmijët me këtë çrregullim (psikiatër ose psikolog fëmijësh, neurolog pediatër ose specialist të zhvillimit te fëmijët); i cili do vlerësojë dhe ndjekë gjendjen e fëmijës.
Si mjekohet Çrregullimi i Spektrit të Autizmit?
Nuk ka një medikament të caktuar për mjekim. Nëse fëmija diagnostikohet nga një specialist që trajton fëmijët me këtë çrregullim, është ai që do të organizojë strategjinë e mjekimit dhe do të caktojë grupin e profesionistëve (terapistë të sjelljes dhe komunikimit, terapi edukative etj.) që do të trajtojnë fëmijën në mënyrë që të arrijë maksimumin e zhvillimit.
Fjalë Kyç: autizëm, zhvillim, ndërveprim.