
A e zbulon Inteligjenca Artificiale kancerin e gjirit më mirë se mjekët?

Çrregullimi i Spektrit të Autizmit
Purpura anafilaktoide karakterizohet nga katër elementë kryesorë:
- Purpura e lëkurës.
- Dhimbjet abdominale.
- Poliartriti akut.
- Mikrohematuria.
E gjitha kjo konsiston në një vaskulit difuz ku përfshihen kapilarët, të cilët dëmtohen nga infiltrimi i qelizave dhe eksudacioni seroz përreth enëve të gjakut.
Etiologjia (shkaqet)
Përgjithësisht është me natyrë imune, pra ka të bëjë me një përgjigje alergjike ndaj produkteve të ndryshme, më shpesh me natyrë bakteriale.
Shpesh, në rreth 80-85% të rasteve, paraprihet nga angina streptokoksike; më rrallë faktori etiologjik mbetet i panjohur.
Klinika
Fillimisht mund të kemi simptoma të përgjithshme (temperaturë, dhimbje koke, dobësi, anoreksi etj.), të cilat pasohen nga simptoma specifike të interesimit të aparateve të ndryshme nga purpura (lëkura, tubi digjestiv, artikulacionet, veshkat).
Purpura e lëkurës më shpesh prek anësitë e poshtme dhe regjionet gluteale; shumë rrallë mund të shfaqet në anësitë e sipërme dhe në trup.
Purpura e lëkurës karakterizohet nga elementë të çrregullt, të madhësive të ndryshme, më shpesh të tipit purpurik dhe më rrallë me elementë ekimotikë apo edhe nekrotikë.
Purpura jo rrallë është e shoqëruar me edemë të pjesëve të ndryshme, si në fytyrë (palpebra) dhe në anësitë përreth artikulacioneve. Te djemtë shihen edema në skrotum.
Purpura e tubit digjestiv shfaqet shpesh me dhimbje barku dhe rrallë me hemorragji (melena). Purpura e mukozës së tubit digjestiv mund të jetë edhe asimptomatike.
Inflamacioni i artikulacioneve të mëdha të anësive të poshtme shprehet me karakteristikat e një sëmundjeje reumatike, por me klinikë më të moderuar.
Në 20-60% të rasteve është i pranishëm një glomerulonefrit akut hemoragjik me mikrohematuri, me prognozë të mirë në shumicën e rasteve.
Ekzaminimet që bëhen për të vendosur diagnozën:
- Klinika.
- Hemograma me ekzaminimin e hemostazës. Hemostaza rezulton normale, ndërsa eritrosedimenti rezulton i lartë; gjithashtu në formulën leukocitare shihen neutrofili dhe eozinofili.
- Reperti biokimik jep alterime jo konstante dhe pak të shprehura të testeve të kolagjenit.
- Kultura e fytit bëhet për të parë praninë e streptokokut.
- Disa autorë akuzojnë edhe parazitët intestinalë për shpërthimin e purpurës; për këtë arsye duhet marrë feçe për parazitë tre ditë rresht.
Prognoza është e mirë në pjesën më të madhe të rasteve.
Komplikacionet që e rëndojnë situatën janë: nekroza në pjesë të ndryshme të tubit intestinal, si dhe dëmtime renale që duhen konsideruar dhe ndjekur e trajtuar gjatë nga specialistë.
Terapia
Në shumicën e rasteve, kjo patologji vetëshërohet. Terapia do të jetë kryesisht ndihmëse, simptomatike: Vitamina C, Rutinë, Ca Glukonat.
Antibiotikë të familjes së penicilinave nëse persistojnë shenjat e anginës.
Kortizonikët në rastet e rënda, të komplikuara, të zgjatura dhe me rikthime të shpeshta.
E rëndësishme është mbikëqyrja e kujdesshme për të diagnostikuar në kohë një problem serioz intestinal apo renal.
Fjalë kyçe: Purpura anafilaktoide. Sindromi Schönlein-Henoch. Tubi digjestiv.