
Roseola e fëmijës (Roseola Infantum)

Diabeti Mellitus Tipi i Parë: Një Pasqyrë e Sëmundjes dhe Menaxhimi i Saj
Çfarë është
Erozioni dentar është një problem i zakonshëm në shoqërinë moderne që konsiston në humbjen, dëmtimin apo gërryerjen e smaltit të dhëmbit nën ndikimin e substancave të ndryshme kimike me përmbajtje acidi. Erozioni i dhëmbëve nuk shkaktohet nga bakteret, ndryshe nga prishja e dhëmbëve. Në përgjithësi, shkaktohet nga refluksi i acidit, ushqimet dhe pijet acidike ose të vjellat e tepërta. Acidi kryesor i përfshirë në fenomenin e erozionit është acidi citrik, përbërës i shumë lëngjeve të frutave, pijeve acide pa alkool etj.
Shenjat klinike
Studime të ndryshme në literaturë kanë dëshmuar se zakoni për të marrë rregullisht dhe shpesh gjatë ditës pije të gazuara, lëngje frutash dhe pije të tjera acide mund të ndikojë në mikrofortësinë sipërfaqësore të smaltit dentar dhe, në mënyrë afatgjatë, mund të shkaktojë erozion, sidomos në dhëmbët e përhershëm. Ndodh një ndryshim i pamjes së smaltit, që është struktura më sipërfaqësore e dhëmbit, e cila duket më e shndritshme. Kështu ndodh gërryerja e smaltit të dhëmbëve në mënyrë progresive, duke ekspozuar ngadalë shtresën shumë më të butë poshtë tij, dentinën. Ndaj, dhëmbi bëhet më i ndjeshëm ndaj stimujve termikë, ushqimeve të ëmbla apo të tharta dhe fillon të duket më i verdhë.
Cilët janë më të rrezikuar
Çdokush mund të preket nga erozioni dentar, pavarësisht moshës. Më shpesh prek të rriturit, por edhe fëmijët e adoleshentët manifestojnë erozion dentar. Gjithashtu, të moshuarit që vuajnë nga goja e thatë dhe nivele të ulëta të prodhimit të pështymës janë të rrezikuar. Pështyma ka disa funksione të rëndësishme, sepse largon grimcat e ushqimit, lufton kundër acideve në gojë dhe ndihmon rimineralizimin e dhëmbëve. Çdo sëmundje, sindromë apo medikament që redukton sasinë e pështymës së prodhuar rrit riskun e erozionit dentar.
Nga ana tjetër, pacientët që vuajnë nga sëmundja e refluksit gastroezofageal kanë aciditet të shtuar në gojë, gjë që favorizon erozionin dentar. Gjithashtu, të vjellat e shpeshta janë një tjetër shkak për gërryerjen e dhëmbëve. Kjo shpjegon pse pacientët me çrregullime të të ushqyerit, bulimi apo anoreksi, paraqesin risk të shtuar për erozion dentar. Megjithëse erozioni dentar shihet rrallë gjatë shtatzënisë, është raportuar në rastet kur shtatzënia shoqërohet me të vjella për një kohë të gjatë, gjendja e njohur si hyperemesis gravidarum. Këto raste manifestohen me erozionin e sipërfaqeve të brendshme të dhëmbëve të përparmë të sipërm.
Parandalimi dhe Trajtimi
Fokusi kryesor është parandalimi, sepse kjo është një gjendje e pakthyeshme. Kjo mund të arrihet me anë të kontrolleve rutinë dhe duke iu përmbajtur udhëzimeve të dentistit, sidomos në rastet kur erozioni dentar shkaktohet nga dieta apo stili i jetesës. Në rastin kur refluksi gastrik apo gjendje të tjera mjekësore si bulimia janë shkaqet e erozionit dentar, atëherë mjeku i përgjithshëm ose specialist mund të këshillojë në lidhje me parandalimin.
Pacientët duhet të tregojnë kujdes duke shmangur mbajtjen e ushqimeve ose pijeve acide në gojë për një kohë të gjatë. Përdorimi i një pipëze ndihmon për të kaluar pijet në pjesën e pasme të gojës dhe mënjanon kontaktin e gjatë me dhëmbët. Një këshillë tjetër do të ishte konsumimi i djathit ose qumështit pasi keni ngrënë ushqime acide ose shpëlarja e gojës pas ngrënies, për të neutralizuar pH-në në gojë.
Dhëmbët e qumështit mund të dëmtohen më lehtë nga acidet, krahasuar me dhëmbët e të rriturve, prandaj te fëmijët është e rëndësishme të evitohet konsumi i shpeshtë i pijeve si lëngjet e frutave që rrisin rrezikun për erozion dentar.
Në rast se ndjeshmëria e dhëmbit arrin një shkallë të rëndë, mund të jetë e nevojshme të bëhet një mbushje dentare në zonën ku smalti është gërryer. Devitalizimi ose heqja e nervit të dhëmbit bëhet shpesh e nevojshme. Në rastet më të rënda, kur humbja e strukturës është e rëndësishme, zgjidhja mund të jenë fasetat apo kurorat dentare.