
Fluoroza dentare

Tumoret e gjëndrave të pështymës
Çfarë është frenulumi i shkurtër?
Frenulum lingual ose peri i gjuhës lidh pjesën e poshtme të gjuhës me dyshemenë e gojës.
Frenulumi është një strukturë anatomike normale që ndihmon në stabilizimin dhe kontrollin e
lëvizjes së gjuhës. Ankiloglosia karakterizohet nga frenulum lingual i shkurtër, dhe shpesh i
trashur, që shtrihet deri në majën e gjuhës duke limituar funksionin e saj.
Simptomat e ankiloglosisë dhe diagnoza
Tek të porsalindurit, gjuha luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin normal të thithjes gjatë
periudhës së ushqyerjes me gji. Ekziston një lidhje direkte midis ankiloglosisë dhe
vështirësive në gjidhënie. Tek fëmija vihen re nervozizëm dhe rritje jo e mirë në peshë,
ndërsa nënat manifestojnë dhimbje, infeksione dhe prodhim të pamjaftueshëm të qumështit.
Frenulumi i shkurtër nuk pengon ushqyerjen tek të porsalindurit të cilët ushqehen me biberon.
Edhe pse ankiloglosia mund të ndikojë në vështirësitë gjatë ushqyerjes me gji, jo të gjithë
foshnjat me ankiloglosi kanë probleme dhe shumë prej tyre ushqehen mirë pa ndërhyrje.
Shpesh, shkaku kryesor i vështirësive është pozicionimi i gabuar gjatë gjidhënies. Prandaj,
bëhet konsultimi me një specialist të laktacionit, pasi disa mjekë mund të kenë njohuri të
kufizuara për teknikat e gjidhënies.
Diagnoza bazohet në vlerësimin e formës dhe të problemeve funksionale. Variacionet
anatomike janë një frenulum lingual që shtrihet deri tek maja e gjuhës dhe ndonjëherë maja e
gjuhës ka formë zemre kur pacienti nxjerr gjuhën jashtë. Nga ana funksionale vërehet një
lëvizje e kufizuar e gjuhës, e cila shpesh nuk mund të dalë përtej buzës, ose majës së
dhëmbëve të përparmë inferiorë. Tek të rriturit mund të krijojë vështirësi me lëpirjen e
buzëve, puthjet dhe ngrënien. Fëmijët mund të paraqesin edhe vështirësi në të folur,
veçanërisht me disa zanore l, r, t, d, n, z, por lidhja e drejtpërdrejtë me çrregullimet e të folurit
nuk është provuar. Ankiloglosia lidhet gjithashtu me disa probleme dentare, megjithëse edhe
këtu evidenca është e kufizuar. Figura më e përshtatshme për vlerësimin e frenulumit lingual
është otorinolaringologu.
Shkaqet dhe kush preket
Shkaku i saktë i ankiloglosisë nuk dihet, megjithatë ka të dhëna që mund të jetë e trashëguar.
Shumica e rasteve ndodhin tek persona të cilët nuk kanë sëmundje të tjera. Shkalla e
përhapjes varion nga 0.1% – 11%. Ky variacion është pasojë e mungesës së një përkufizimi të
unifikuar dhe metodave të ndryshme të diagnostikimit, gjë që ka çuar në mbidiagnostikim
dhe ndërhyrje të panevojshme kirurgjikale. Format më të lehta mund të zhduken vetvetiu me
kalimin e kohës, prandaj ankiloglosia shihet më shpesh tek të porsalindurit sesa tek fëmijët
më të rritur apo të rriturit. Ajo është më e zakonshme tek meshkujt, tek të cilët manifestohet
me një frekuencë 3 herë më të lartë krahasuar me femrat.
Trajtimi
Frenotomia (frenulotomia) është trajtimi më i zakonshëm për ankiloglosinë tek foshnjat,
veçanërisht kur ushqyerja me gji është problematike dhe përgjithësisht mbasi trajtimet e tjera
më konservative kanë dështuar. Frenotomia konsiston në një prerje të frenulumit lingual,
zakonisht pa anestezi, dhe shumica e foshnjave mund të ushqehen menjëherë pas procedurës.
Edhe pse është e sigurt dhe efektive, jo të gjithë përfitojnë prej saj, ndaj prindërit duhet të
informohen më parë për opsione konservative si mbështetja për gjidhënie dhe vëzhgimi.
Rastet më të ndërlikuara mund të kërkojnë procedura të tjera:
• Frenektomia përfshin heqjen e plotë të frenulumit, shpesh e përdorur tek fëmijët më
të rritur.
• Frenuloplastika përfshin prerjen dhe ripozicionimin e frenulumit, ndonjëherë me
teknikën Z-plasti për të parandaluar formimin e përsëritur dhe për të përmirësuar
lëvizshmërinë.
Zgjedhja e procedurës varet nga mosha dhe vlerësimi mjekësor. Në disa raste, kujdesi pas
ndërhyrjes mund të përfshijë terapi për të folur dhe ushtrime për gjuhën.
Key words: Frenulumi, Gjidhënia, Frenotomia



