
Kanceri Oral / Kanceri i Gojës

MYASTENIA GRAVIS
A është e mundur të kesh kolesterol të lartë dhe të jesh në formë të mirë fizike?
Të qenit në formë të mirë fizike na ndihmon të kujdesemi për shëndetin tonë dhe të parandalojmë sëmundje të shumta. Mungesa e ushtrimeve fizike kontribuon në zhvillimin e disa patologjive, si diabeti i tipit 2, presioni i lartë i gjakut, rritja e kolesterolit të keq (LDL), insultet (goditjet në tru), apo hemorragjitë cerebrale etj.
Është absolutisht e mundur që të kesh kolesterol të lartë edhe nëse je në formë të mirë fizike. Forma fizike dhe niveli i kolesterolit nuk janë gjithmonë të lidhura drejtpërdrejt. Disa nga arsyet se pse ndodh kjo janë:
- Gjenetike – Disa njerëz kanë një predispozicion gjenetik për të pasur kolesterol të lartë, si p.sh. në rastin e hiperkolesterolemisë familjare, kur trupi prodhon shumë kolesterol pavarësisht stilit të jetesës.
- Dieta – Edhe nëse je aktiv fizikisht, një dietë e pasur me yndyra të ngopura mund të rrisë kolesterolin.
- Stresi dhe gjumi – Mungesa e gjumit ose stresi kronik mund të ndikojnë në nivelet e kolesterolit.
- Mosha dhe hormonet – Me kalimin e moshës, veçanërisht te gratë pas menopauzës, rritet rreziku për kolesterol të lartë.
- Lloji i kolesterolit – Jo të gjitha llojet e kolesterolit janë të këqija. Ekzistojnë dy lloje të kolesterolit: kolesteroli i mirë (HDL) dhe kolesteroli i keq (LDL). Është e rëndësishme të dihet raporti midis HDL & LDL dhe Triglicerideve.
• Kolesteroli i mirë ndihmon në pastrimin e arterieve dhe në këtë mënyrë redukton rrezikun e pësimit të një ataku kardiak.
• Kolesteroli i keq është një yndyrë që mund të grumbullohet në muret e arterieve dhe të bllokojë rrjedhën e gjakut, duke rritur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, etj.
Prandaj, mbajtja e kolesterolit të keq në nivele normale ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, në veçanti atyre kardiovaskulare. Një mënyrë jetese sedentare (pa aktivitet fizik) konsiderohet si një faktor rreziku kryesor.
Pyetja shtrohet nëse kur jemi në gjendje të mirë fizike, a është e mundur të kemi nivele të larta të kolesterolit të keq? Për këtë mund të thuhet që edhe një sportist ose dikush që duket “në super formë” mund të ketë kolesterol të lartë. Prandaj është mirë të bëhen analiza të rregullta të gjakut, edhe nëse ndihesh mirë.

Është shumë e zakonshme që kur konstatohet nivel i lartë i kolesterolit të keq, të mendojmë se vjen nga mungesa e aktivitetit fizik. Por po ashtu është e arsyeshme, dhe pranohet fakti që sa më pak aktivitet fizik të bëjmë, aq më i madh është rreziku për të pasur nivele të larta LDL dhe nivele më të ulëta HDL. Por siç u tha në fillim, ka përjashtime dhe kolesteroli i lartë nuk lidhet gjithmonë me gjendjen e keqe fizike; ka faktorë të tjerë që mund ta rrisin atë si janë:
• Pirja e duhanit: Duhani dëmton muret e enëve të gjakut, duke lejuar akumulimin më të madh të depozitave yndyrore.
• Stresi: Këtu bëhet fjalë për një ndjenjë thuajse të vazhdueshme stresi, e cila në mënyrë natyrale mund të rrisë kolesterolin nëpërmjet mekanizmave hormonalë. Por stresi kronik gjithashtu mund të çojë në kequshqyerje të organizmit.
• Dieta e dobët: Edhe nëse ruani gjendje të mirë fizike dhe kryeni ushtrime, dieta është çelësi i kolesterolit. Nëse konsumoni shumë yndyrna trans (bukë, ushqime të përpunuara, etj.) dhe yndyrna të ngopura (ushqime të skuqura, mish të yndyrshëm, produkte qumështi me yndyrë të plotë, etj.), rritet rreziku për nivele të larta të kolesterolit të keq (LDL).
• Alkooli: Kur pijet alkoolike konsumohen çdo ditë, ose me tepricë, është e mundur të rriten nivelet e LDL-së, përveç sëmundjeve të tjera të mëlçisë dhe kardiovaskulare.
Përtej këtyre faktorëve të rrezikut, gjithmonë këshillohet të zhvilloni aktivitet të rregullt fizik. Mos harroni që aktiviteti fizik, jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e niveleve të kolesterolit të mirë dhe të keq, por gjithashtu kontrollon peshën, ul trigliceridet dhe përmirëson shëndetin kardiovaskular dhe të mushkërive, ndër përfitimet e tjera.
Disa mënyra natyrale apo këshilla për ta ulur nivelin e Kolesterolit.
Ka disa mënyra natyrale dhe efektive për të ulur kolesterolin, veçanërisht LDL-në (kolesterolin e keq), pa pasur nevojë menjëherë për ilaçe. Ja disa prej tyre:
o Ndryshime në dietë
o Aktiviteti fizik i rregullt
o Humbje peshe, nëse ke tepricë
o Ndalo duhanin dhe kufizo alkoolin
o Përdor produktet bimore apo suplemente të dobishme (me kujdes)
Fjalë kyçe: Kolesteroli, trigliceridet, aktiviteti fizik, dieta, stresi