
Kariesi dentar – Çfarë është dhe si trajtohet?

Tiroiditi Hashimoto
Vizita e parë ortodontike
Vizita e parë ortodontike është e këshillueshme të kryhet rreth moshës 3 vjeç, kur ka përfunduar dalja e të gjithë dhëmbëve të qumështit, dhe deri në moshën 6 vjeç, por jo më vonë se 7 vjeç. Në këtë fazë të hershme mund të diagnostikohen problemet e mundshme të lidhura me zhvillimin e nofullave, daljen e dhëmbëve dhe kafshimin. Korrigjimi i këtyre defekteve në moshë të vogël sjell rezultate më të mira në një kohë më të shkurtër dhe mund të realizohet më thjeshtë, duke parandaluar probleme më të mëdha që mund të shfaqen në të ardhmen.
Si mund ta kuptojnë prindërit që fëmija ka nevojë për trajtim ortodontik?
Është e rëndësishme që prindërit të jenë të informuar mbi shenjat e para dalluese për të qenë më të kujdesshëm dhe për t’iu drejtuar mjekut specialist ortodont për vlerësime të mëtejshme. Disa nga këto karakteristika përfshijnë:
- Humbja e hershme e dhëmbëve të qumështit (para moshës 5 vjeç).
- Dalje e vonuar e dhëmbëve të përhershëm.
- Frymëmarrje me gojë.
- Thithja e gishtit për një kohë të tejzgjatur (mbi 4-5 vjeç).
- Dhëmbë të grumbulluar.
- Mungesa e hapësirave mes dhëmbëve të qumështit (janë ngjitur me njëri- tjetrin).
- Dhëmbët e nofullës së sipërme më përpara sesa pozicioni i tyre normal.
- Dhëmbet e përparme të nofullës së poshtme më përpara se dhëmbët e përparme të nofullës së sipërme.
- Vështirësi në shqiptimin e tërë shkronjave.
- Dhëmbët e nofullës së sipërme nuk takojnë fare ose jo saktë dhëmbët e nofullës së poshtme.
Diagnostikimi në kohë i këtyre problematikave luan një rol kyç për arritjen e rezultateve më të mira të trajtimit në një kohë më të shkurtër.
Klasifikimi i keqkafshimeve (malokluzioneve)
- Klasa I: Raporti mes nofullës së sipërme dhe të poshtme (maksilës dhe mandibulës) është korrekt, por problemi qëndron vetëm tek dhëmbët, të cilët paraqiten të grumbulluar, të vendosur më përpara se norma ose të rrotulluar nga pozicioni i tyre. Në këtë rast, pra, problemi është dentar dhe jo kockor.
- Klasa II: Nofulla e sipërme është e pozicionuar më përpara se ajo e poshtmja, ose nofulla e poshtme është e pozicionuar më mbrapa. Mund të ketë dhe një kombinim të këtyre dy problematikave.
- Klasa III: Nofulla e sipërme është e pozicionuar më mbrapa se ajo e poshtme, ose nofulla e poshtme është e pozicionuar më përpara. Mund të ketë dhe një kombinim të këtyre dy problematikave.
- Kafshim i hapur: Dhëmbët e përparme të nofullës së sipërme dhe të poshtme kanë distancë të konsiderueshme nga njëri-tjetri dhe takojnë vetëm dhëmballët.
- Kafshim i thellë: Dhëmbët e përparme të nofullës së sipërme mbulojnë shumë dhëmbët e përparme të nofullës së poshtme.
- Kafshim i kryqëzuar: Dhëmballët e nofullës së sipërme takojnë më në brendësi dhëmballët e nofullës së poshtme, duke u shoqëruar edhe me një devijim të nofullës së poshtme (mandibulës).
- Grumbullime të dhëmbëve: Për shkak të mungesës së hapësirave, dhëmbët nuk janë në pozicionin e tyre korrekt, duke krijuar mbivendosje mes tyre. Shpeshherë kjo shoqërohet edhe me mosdalje të dhëmbëve dhe mbetje të tyre brenda në kockë. Kjo problematikë shfaqet kur ka një moskoordinim mes madhësisë së dhëmbëve dhe bazave kockore ku ata vendosen.
Avantazhet e trajtimit ortodontik në moshë të hershme
Trajtimi i hershëm ortodontik rekomandohet, sepse formimi i kockave tek fëmijët nuk ka përfunduar ende, duke e bërë më të lehtë korrigjimin e defekteve. Meqenëse kockat janë ende të buta dhe procesi i osifikimit nuk ka përfunduar, procedurat korrigjuese veprojnë më shpejt, me rezultate më të mira dhe më të qëndrueshme në kohë. Më poshtë janë disa nga përparësitë kryesore të trajtimeve ortodontike në moshë të vogël:
- Krijimi i hapësirës për dhëmbët që do të eruptojnë.
- Ruajtja e hapësirës për dhëmbët e përhershëm.
- Krijimi i simetrisë së fytyrës përmes ndikimit në rritjen e nofullës.
- Reduktimi i rrezikut të traumës në dhëmbët e përparëm të pozicionuar më jashtë.
- Reduktimi i nevojës për heqjen e dhëmbëve.
- Kohëzgjatje më e shkurtër e trajtimit.
- Zvogëlimi i riskut për zhvillimin e kariesit.
- Parandalimi dhe eliminimi i frymëmarrjes jo normale si dhe heqja e zakoneve të këqija si thithja e gishtit ose e biberonit.
Disa problematika, si Klasa II, Klasa III, kafshimi i kryqëzuar dhe kafshimi i hapur, paraqiten më emergjente krahasuar me keqkafshime të tjera. Prandaj është e rëndësishme që vizita e parë me mjekun specialist ortodont të bëhet sa më herët, jo domosdoshmërisht për të nisur trajtimin, por për të përcaktuar nevojën ose jo të ndërhyrjes ortodontike dhe kohën e përshtatshme për trajtim. Trajtimi i duhur në kohën e duhur krijon bazat për një shëndet oral të mirë dhe një buzëqeshje të shëndetshme.