
Pedodontia – Kujdesi dentar për fëmijët

Ortodoncia, aplikimi tek fëmijët; trajtimet e mundshme
Çfarë është kariesi dentar: Kariesi dentar është një sëmundje degjenerative e indeve të forta të dhëmbit (smalti dhe dentina) si pasojë e veprimit të baktereve, mikroorganizmave që ndodhen në kavitetin e gojës. Këto mikroorganizma shndërrojnë sheqerin e lirë në acid, dhe ky mjedis acidik shkatërron gradualisht strukturën e fortë të dhëmbit, duke krijuar kavitetin karioz. Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kariesi është sëmundja jo e transmetueshme më e përhapur në botë, me një prevalencë të lartë.
Çfarë e shkakton kariesin dentar: Marrja e vazhdueshme dhe e shpeshtë e sasive të sheqerit, ekspozimi ndaj niveleve të ulëta të fluorideve dhe kujdesi i pakët për ruajtjen e një higjiene të mirë orale ndikojnë në zhvillimin e kariesit. Prandaj, është e këshillueshme që pacienti të bëjë larje të rregullt të dhëmbëve, të tregojë kujdesin e duhur për higjienën orale dhe të bëjë kontrolle periodike te dentisti.
Simptomat: Në fazat e hershme të kariesit, pacienti zakonisht nuk përjeton asnjë shqetësim. Megjithatë, procesi i dëmtimit të dhëmbëve vazhdon në mënyrë të heshtur, duke prekur shtresat më të thella të dhëmbit. Kur dëmtimi arrin një thellësi të caktuar, pacienti fillon të ndjejë parehati në prani të stimujve të tillë si të nxehtat, të ftohtat, dhimbje gjatë përtypjes, apo dhe ndjeshmëri ndaj ushqimeve me përmbajtje acide ose sheqer. Nëse nuk trajtohet me kohë, kariesi mund të arrijë deri te nervi i dhëmbit (pulpa), duke shkaktuar dhimbje më të forta, shpesh të papritura dhe që përhapen në zona të tjera të fytyrës. Në raste të avancuara, kur struktura e dhëmbit është dëmtuar rëndë, kjo mund të çojë deri në humbjen e tij.
Faktorët e riskut: Çdo individ me dhëmbë është i rrezikuar për të zhvilluar karies, por faktorët e mëposhtëm favorizojnë më shumë zhvillimin e tij:
- Pozicionimi i dhëmbit në gojë: dhëmbët që ndodhen në pjesën e pasme të gojës janë më të vështirë për t’u pastruar gjatë larjes me furçë dentare.
- Forma e dhëmbit: dhëmbët me strukturë gropash të thelluara bëhen vende depozitimi për ushqimet, të cilat mbeten aty dhe krijojnë kushte të favorshme për bakteret e gojës, që ushqehen me to dhe krijojnë një mjedis acid.
- Dieta ushqimore: konsumimi i shpeshtë dhe në sasi të lartë i sheqerit krijon një mjedis të përshtatshëm për aktivitetin e organizmave që ndikojnë në formimin e kariesit.
- Çrregullime të ushqyerjes që shoqërohen me të vjella të shpeshta, të cilat dëmtojnë strukturën e dhëmbëve.
- Pastrimi jo i duhur i dhëmbëve me furçë dhe pastë dentare.
- Mungesa e fluorideve.
- Thatësia e gojës për shkak të problematikave të tjera shëndetësore, sidomos e pranishme në moshën e tretë.
Metoda e diagnostikimit: Mjeku stomatolog mund të përcaktojë diagnozën e kariesit në bazë të:
- Llojit të dhimbjes që pacienti përshkruan.
- Kontrollit të dhëmbëve në gojë me anë të instrumenteve të thjeshta.
- Grafisë dentare.
Gjithashtu, ai mundet të përcaktojë shkallën e prishjes së dhëmbit, sipas së cilës do të përcaktohet edhe trajtimi dentar i duhur.
Si mund të trajtohet: Trajtimi i kariesit dentar ndryshon në varësi të stadit të sëmundjes. Kur kariesi nuk ka prekur ende pjesën e pulpës, pastrohet pjesa e dëmtuar e dhëmbit dhe mbushet kurora e tij me materiale estetike, si kompozit, cement vetroionomer, etj. Ndërsa, në rastet kur kariesi ka prekur pulpën e dhëmbit, nevojitet trajtim endodontik, i cili konsiston në heqjen e nervit, pastrimin dhe mbushjen e kanalit të rrënjës, dhe më pas rindërtimin e kurorës së dhëmbit.
A mund të parandalohet: Kariesi dentar është një problematikë e shëndetit oral me prevalencën më të lartë, por për fat të mirë, është i parandalueshëm nëse tregojmë kujdes. Disa këshilla që duhen pasur parasysh:
- Ruajtja e një higjiene të mirë orale, duke i larë dhëmbët dy herë në ditë me furçë dhe duke përdorur rregullisht fillin dentar.
- Reduktimi i konsumimit të ushqimit mes vakteve, pasi kjo favorizon krijimin e një mjedisi acid në gojë.
- Përdorimi i ujit të pasur me fluoride.
- Kontrolle të rregullta tek mjeku stomatolog, për të trajtuar në kohë çdo problematikë.