
Lupus Eritematosus

Hernia Diskale
Çfarë është pankreatiti akut?
Pankreatiti akut është inflamacion (ënjtje) i pankreasit që shfaqet menjëherë dhe zakonisht përmirësohet pas disa ditësh nën mjekimin e duhur. Rreth 20% e rasteve me pankreatit akut janë të formave të rënda. Rastet shumë të rënda mund të çojnë në gjendje shoku dhe vdekje
Shenjat/simptomat e pankreatitit akut
Shenja e parë është dhimbja, shpesh e fortë dhe e menjëhershme, në pjesën e sipërme të barkut, e cila mund të përhapet edhe në shpinë. Pankreatiti akut i shkaktuar nga gurët e tëmthit zakonisht zhvillohet pas ngrënies së një vakti të madh. Nëse gjendja shkaktohet nga alkooli, dhimbja shpesh zhvillohet 6-12 orë pas konsumit të një sasie të konsiderueshme alkooli.
Barku mund të jetë i fryrë dhe i dhimbshëm në prekje. Simptoma të tjera përfshijnë:
- Të përzierat
- Të vjellat
- Diarrenë
- Temperaturën e lartë
- Rrahjet e shpeshta të zemrës
Kush preket nga pankreatiti akut?
Pankreatiti akut është më i zakonshëm tek njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar, por mund të prekë çdo moshë.
- Burrat kanë më shumë gjasa të zhvillojnë pankreatit të lidhur me alkoolin.
- Gratë kanë më shumë gjasa ta zhvillojnë atë si pasojë e gurëve në tëmth.
Shkaqet më të zakonshme të pankreatitit akut
- Gurët në tëmth.
- Përdorimi i alkoolit.
- Barnat.
- Ndërhyrjet kirurgjikale në bark.
- Rrallë, infeksionet (p.sh., fruthi).
- Bllokimi i kanaleve të pankreasit.
- Kanceri ose infeksioni i pankreasit.
- Në disa raste, shkaku mbetet i panjohur.
Trajtimi
Trajtimi zakonisht kryhet në spital dhe përfshin:
- Menaxhimi i dhimbjes: Përdorimi i barnave për lehtësimin e dhimbjes.
- Evitimi i ushqimit dhe lëngjeve: Sepse stimulojnë pankreasin të prodhojë më shumë enzima.
- Vendosja e sondës nazogastrike: Nëse pacienti nuk mund të kontrollojë dot të vjellat, vendoset një tub nga hunda në stomak (sonda nazogastrike) për të hequr lëngjet dhe ajrin.
Procedurat diagnostike
- Eko e barkut.
- Skaneri (CT) i barkut.
- Analizat e gjakut: Përcaktojnë nivelet e amilazës dhe lipazës (enzima tretëse të prodhuara nga pankreasi), të cilat rriten kur pankreasi është i inflamuar. Gjithashtu mund të ndryshojnë nivelet e kalçiumit, magneziumit, natriumit, kaliumit dhe bikarbonateve në gjak. Nivelet e sheqerit dhe yndyrnave në gjak mund të rriten, por kthehen në normë pasi pankreasi përmirësohet.
Mjekimi
Nuk ka terapi farmakologjike specifike për të zbutur ecurinë e pankreatitit akut.
- Lëngjet intravenoze: Për rritjen e volumit të gjakut dhe zëvendësimin e kripërave (kalium, kalçium).
- Oksigjenoterapia: Për të siguruar oksigjen të mjaftueshëm për organizmin.
- Barnat kundër dhimbjes: Si analgine, paracetamol dhe opiate (morfina).
- Antibiotikë: Në rast të një infeksioni primar.
- ERCP: Një procedurë që përdor një endoskop dhe rrezet-X për të ekzaminuar dhe trajtuar kanalet e tëmthit dhe pankreasit. ERCP mund të përdoret për heqjen e gurëve, zgjerimin e kanaleve ose marrjen e mostrave për analiza (biopsi).
- Ndërhyrja kirurgjikale: Për heqjen e indit pankreatik të nekrotizuar ose të infektuar.
Trajtimi i shkakut
- Heqja e fshikëzës së tëmthit.
- Kirurgji në kanalet e tëmthit pas qetësimit të pankreatitit.