
Pankreatiti akut

Fizioterapia në trajtimin e Fibrozës Kistike
Çfarë është Hernia diskale?
Hernia diskale (fryrje, shqyerje, rrëshqitje e diskut) zakonisht ndodh si rezultat i konsumimit gradual, degjenerimit të disqeve të shtyllës kurrizore. Me kalimin e kohës, disqet e shtyllës kurrizore humbasin një pjesë të përmbajtjes së ujit, duke i bërë më pak fleksibël dhe më të prirur për të pësuar dëmtime.
Shkaqet dhe faktorët e riskut për Hernien diskale.
Faktorët që mund të rrisin mundësitë për një hernie diskale janë:
- Mosha: Me rritjen në moshë, disqet janë më të predispozuar për dëmtime.
- Obeziteti: Mbipesha rrit stresin në diskun e shtyllës kurrizore.
- Profesioni: Individët të cilët bëjnë punë të rënda fizike kanë një rrezik më të lartë për hernie të diskut.
- Gjenetika: Disa individë trashëgojnë predispozitën për të zhvilluar një hernie diskale.
- Mungesa e aktivitetit të rregullt fizik: Ushtrimet e rregullta ndihmojnë në parandalimin e hernies diskale.
Simptomat e Hernies diskale.
Simptomat varen nga vendi ku ka ndodhur dëmtimi. Hernia diskale zakonisht shfaqet në pjesën lumbare (fundshpinë), por ka raste kur shfaqet edhe në pjesën cervikale (qafë). Disa nga simptomat më të zakonshme janë:
- Dhimbje krahu ose këmbe
- Mpirje ose ndjesi mizash
- Dobësi muskulore, e cila mund të ndikojë edhe në aftësinë që ka individi për të ngritur ose ulur objektet
Trajtimi i Hernies diskale.
Trajtimi mund të jetë:
- Medikamentoz (ilaçe), të cilat përdoren gjithmonë me përshkrimin nga mjeku.
- Trajtimi fizioterapeutik, i cili ka një rëndësi thelbësore duke përfshirë ushtrime dhe teknika që pakësojnë dhimbjen, rrisin lëvizshmërinë dhe funksionalitetin. Fizioterapisti edukon pacientin në lidhje me qendrimin e duhur gjatë punës apo aktiviteteve të tjera në përditshmëri.
- Ndërhyrje kirurgjikale, e cila mund të jetë e nevojshme në rastet kur fizioterapia dhe trajtimi medikamentoz nuk funksionojnë. Ky vendim merret nga mjeku specialist.