
SËMUNDJA E MISHRAVE TË DHËMBËVE (PERIODONTITI)

Kariesi dentar – Çfarë është dhe si trajtohet?
Çfarë është pedodontia?
Pedodontia është një degë e dentistrisë që merret me trajtimin e fëmijëve që nga lindja dhe gjatë viteve të adoleshencës. Mjeku pedodont ka njohuritë dhe kualifikimin e nevojshëm për të trajtuar problematikat e shëndetit oral tek kjo grupmoshë, duke ndjekur të gjitha fazat e rritjes dhe zhvillimit të tyre.
Vizita e parë dentare
Dhëmbët e qumështit tek fëmijët fillojnë të dalin rreth moshës 6 muajshe dhe dalja e tyre përfundon afërsisht në moshën 3 vjeçare. Fëmijët kanë gjithsej 20 dhëmbë qumështi. Vizita e parë në klinikën dentare rekomandohet të kryhet rreth moshës 12 muajshe ose 6 muaj pas daljes së dhëmbit të parë. Një vizitë dentare në një moshë të vogël ndihmon fëmijën të përshtatet më lehtë me ambientin e klinikës dhe me figurën e mjekut stomatolog. Kështu, këta pacientë të vegjël mund të pranojnë më lehtë procedurat dentare gjatë rritjes, duke e përjetuar si një eksperiencë jo shqetësuese.
Cila është rëndësia e dhëmbëve të qumështit?
Dhëmbët e qumështit kanë një rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Së pari, ata janë kryesorë në procesin e ushqyerjes, pasi ndihmojnë në përpunimin e ushqimit, copëtimin dhe bluarjen e tij në copa më të vogla. Nëse fëmija përjeton dhimbje për shkak të kaviteteve, prishjeve të dhëmbëve apo humbjes së tyre, ai mund të zgjedhë ushqime që i sjellin më pak shqetësim, duke eliminuar kështu shumë ushqime të shëndetshme nga dieta. Një dietë e larmishme, me ushqime të teksturave të ndryshme, përbën një ushtrim të mirë për mishrat e dhëmbëve, vetëpastrimin e sipërfaqeve të tyre dhe stimulon zhvillimin e muskujve përtypës dhe kockave të fytyrës, duke favorizuar një rritje harmonike të nofullave tek fëmija.
Gjithashtu, shëndeti i dhëmbëve të përkohshëm lidhet drejtpërdrejt me atë të dhëmbëve të përhershëm. Kur një dhëmb qumështi prishet dhe lihet pa trajtim për një kohë të gjatë, mund të krijojë infeksion, i cili ndikon në strukturën e dhëmbit të përhershëm që ndodhet nën të dhe pritet të dalë më vonë në gojë. Pra, edhe pse dhëmbët e përhershëm nuk janë të dukshëm (deri rreth moshës 6 vjeç kur fillon dalja e dhëmbit të parë), kjo nuk do të thotë se ata nuk ndikohen nga çfarë ndodh në hapësirën e gojës. Vlen të përmendet se dhëmbët e qumështit ruajnë vendin e dhëmbëve të përhershëm, duke mundësuar që këta të dalin në mënyrë të rregullt dhe në pozicionin e duhur.
Nga ana tjetër, dhëmbët e përkohshëm ndikojnë në procesin e të folurit, duke e ndihmuar fëmijën të shqiptojë saktë dhe qartë të gjitha shkronjat. Në mungesë të tyre, fëmija mund të paraqesë vështirësi, që shpesh herë shkakton komplekse, ndjenja turpi, veçim nga moshatarët dhe mungesë socializimi.
Prandaj, është thelbësore që prindërit të jenë të informuar për funksionin dhe rëndësinë e dhëmbëve të qumështit, në mënyrë që të tregojnë vëmendjen dhe kujdesin e duhur ndaj tyre. Kështu minimizohet rreziku i formimit të proceseve karioze, krijimit të infeksioneve në hapësirën e gojës, humbjes së parakohshme të dhëmbëve të qumështit dhe reduktohet rreziku për patologji orale në të ardhmen. Qëllimi është të rriten fëmijë të edukuar me rëndësinë e të pasurit një buzëqeshje të shëndetshme dhe të bukur.
Çfarë proçedurash mund të bëhen tek fëmijët?
Silantet dentare: Silanizimi i dhëmbëve është një procedurë e thjeshtë dhe pa dhimbje që parandalon prishjen e dhëmbëve. Kjo metodë rekomandohet tek fëmijët, për të mbrojtur kryesisht dhëmballët, të cilat janë pozicionuar në fund të gojës dhe janë më të vështira për t’u pastruar nga kjo grupmoshë. Në strukturën e këtyre dhëmballëve dallohen të thelluara, gropëza ku shpesh grumbullohen mbetje ushqimore, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për veprimin e baktereve. Aplikimi i silanteve (një shtresë e hollë rezine fluide) mbush këto hapësira, duke reduktuar rrezikun e zhvillimit të proceseve karioze. Kjo është një procedurë e thjeshtë, e shpejtë, pa dhimbje dhe nuk kërkon mpirje, prandaj pranohet më lehtë nga fëmijët.
Fluorizimi:
Profilaksia me fluor konsiston në aplikimin periodik të xhelit të fluorit në sipërfaqen e dhëmbit, për të përmirësuar strukturën kristalore të smaltit të dhëmbëve. Kjo e bën dhëmbin më rezistent ndaj sulmeve të acideve të prodhuara nga bakteret që shkaktojnë kariesin dentar, duke kontribuar në dhëmbë më të fortë dhe më të shëndetshëm për fëmijët. Shpeshtësia e kësaj procedure dhe sasia e fluorit të aplikuar përcaktohen në bazë të sasisë së fluorit që fëmija merr në forma të tjera (p.sh., suplementet). Duhet treguar kujdes i veçantë gjatë aplikimit dhe në rastet e gëlltitjes së sasive të konsiderueshme të pastave të dhëmbëve me përmbajtje fluori, pasi një tepricë mund të çojë në fluorozë (njolla të bardha në sipërfaqen e dhëmbëve).