Rëndësia e lojës barkas (tummy time) në zhvillimin e fëmijës gjatë vitit të parë të jetës

Purpura anafilaktoide (Sindromi Schönlein-Henoch) te fëmijët
Në vitin 2022, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë regjistruar 2.3 milionë gra të diagnostikuara me kancer gjiri dhe 685 000 vdekje, duke e bërë atë formën më të zakonshme të kancerit te gratë në mbarë botën. Kanceri i gjirit përbën 30% të rasteve të reja të gjithë tumoreve malinje që diagnostikohen çdo vit te femrat.
Për të përmirësuar diagnozën e hershme të kancerit të gjirit ka filluar të përdoret sistematikisht Inteligjenca Artificiale (AI), e cila po tregon rezultate premtuese në këtë aspekt. Inteligjenca Artificiale mund të parashikojë kancerin e gjirit disa vite para diagnostikimit. Algoritmi po arrin të parashikojë me saktësi, se cilat gra janë më të rrezikuara dhe madje identifikon deri në 6 vjet para se të konfirmohet diagnoza, se cili prej gjinjve është më i prekur.
IA po ndihmon në vënien e diagnozës në shumë raste që nuk arrijnë të zbulohen nga radiologët, duke e rritur shkallën e zbulimit në afro 18%. Në 3% të rasteve, algoritmi gjithashtu mund të lokalizojë saktësisht se ku do të shfaqet më vonë kanceri i gjirit, duke i kategorizuar mamografitë në tre seksione: kanceri i dyshimtë, normal dhe i pasigurt.
Studimet e kohëve të fundit kanë arritur në përfundimin që mjekët janë në gjendje të zbulojnë kancerin e gjirit më shpesh në rastet kur përdorin IA, e cila ndihmon në leximin e rezultateve të mamografisë. IA vlerëson densitetin e gjirit sipas parametrave objektivë. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse femrat që kanë gjoks shumë të dendur (kategoria D) kanë një rrezik 4-6 herë më të lartë për të zhvilluar kancer, sesa popullata standarde.
Për më tepër, densiteti i gjëndrave mund të maskojë tumorin. Në gratë me densitet të gjirit D, p.sh., udhëzimet e Shoqatës Evropiane të Imazherisë së Gjirit (Eusobi) rekomandojnë kryerjen e një MRI çdo 2-3 vjet për të përjashtuar përfundimisht praninë e një tumori.
Kur mjekët përdorën IA për të analizuar mamogramet e mbi 460,000 grave në Gjermani, ata arritën të zbulojnë një rast më shumë kanceri për çdo 1000 gra, krahasuar me rastet kur analizoheshin vetëm nga mjekët, sipas hulumtuesve.
Shkalla e zbulimit të kancerit të gjirit është më e mirë dhe kjo është një provë shumë e fuqishme. Dhe bazuar në këto prova, ka filluar të përdoret gjithmonë e më shumë IA në kontrollet për kancerin e gjirit.
Shkalla e zbulimit të kancerit të gjirit nëpërmjet IA është përmirësuar ndjeshëm. A do të thotë kjo që inteligjenca artificiale është më e avancuar se mjekët në zbulimin e kancerit të gjirit?
IA mund të zëvendësojë leximin e rezultateve nga mjekët deri në një farë mase. Por çështja është: sa larg duam të shkojmë në këtë drejtim? Kjo nuk është thjesht çështje shkencë, por edhe pyetje për shoqërinë. Sa i beson shoqëria IA? Pra, me fjalë të tjera, IA ndihmon në uljen e nivelit të rezultateve të pasakta, por ajo megjithatë nuk arrin t’i zbulojë dot disa raste kanceri të gjirit.
Sipas rezultateve të studimit, dështimi i mjekëve për të zbuluar kancerin e gjirit ishte 10 herë më i lartë se inteligjenca artificiale. Ndryshe nga njerëzit, IA nuk lodhet! IA punon në të njëjtën formë si në orën 2 të mëngjesit, ashtu edhe në mesditë. Prandaj, është gjithsesi një avantazh dhe është gjithashtu një prej arsyeve pse mendohet se ajo arrin të zbulojë rastet e kancerit që mjekët nuk i zbulojnë dot.
Ka shqetësime se përdorimi i IA në zbulimin e kancerit mund të sjellë si pasojë zvogëlimin e numrit të radiologëve të specializuar. Rastet e ndërlikuara, kur duhet të merren parasysh disa këndvështrime, atëherë kur duhet të flasësh me pacientin, janë rastet kur nevojitet ekspertiza dhe kur nevojitet radiologu, prandaj ata duhet të vazhdojnë të trajnohen. Radiologët e specializuar do të kenë hapësirën, kohën dhe përqendrimin për t’u fokusuar në raste më të ndërlikuara.
Tani për tani, bashkëpunimi ndërmjet radiologut dhe IA mund të jetë mënyra më e mirë për të kombinuar anët e forta të të dyjave, dhe pa dyshim që ky bashkëpunim është shumë më rezultativ sesa vetëm mendimi i mjekut. Kjo do të bëjë që të shkohet drejt rezultateve më të mira për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë.
Fjalë kyçe: IA,inteligjenca artificiale, kanceri i gjirit, mamografia, radiologjia