
MYASTENIA GRAVIS

Infeksionet e traktit urinar te fëmijët
Në përgjithësi, kur dikush referon që ka humbur ndjesinë e shijes, problemi në të vërtetë qëndron te nuhatja. Në fakt, nuhatja kontribuon në pjesën më të madhe të gustos së ushqimit (75%). Çrregullimet e izoluara të shijes janë të rralla; në përgjithësi ato shoqërohen me probleme me nuhatjen.
Nuk dihet saktë përqindja e personave që vuajnë nga ky problem. Janë më të shpeshta te burrat dhe te të moshuarit. Te të moshuarit, përveç ndryshimeve të qelizave të specializuara të shijes, çrregullimet e shijes mund të ndodhin edhe si pasojë e uljes së sasisë së pështymës, e cila transporton substanca të ndryshme te qelizat e shijes, ulje e aftësisë për të përtypur mirë ushqimet dhe sidomos përdorimi i medikamenteve dhe sëmundjet sistemike. Çrregullimet e shijes mund të shkaktojnë probleme të rëndësishme si anoreksia dhe depresioni.
Llojet e çrregullimeve të shijes:
• Ageuzia: Humbja e plotë e shijes
• Hipogeuzia: Reduktimi i shijes
• Dysgeuzia: Shije e hidhur ose metalike e vazhdueshme në gojë
Identifikimi i shkaqeve është i vështirë në rastet kur varet nga historia mjekësore dhe pacienti nuk mban mend saktësisht kur ka filluar problemi.
Shkaqet më të shpeshta janë:
- infeksionet virale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes si gripi, infeksionet e hundës, sinuziti, infeksionet virale të fytit etj., dhe traumat e kokës. Në këtë rast, problemi është me nuhatjen, por perceptohet si humbje e shijes.
Shkaqe të tjera të çrregullimeve të shijes përfshijnë:
• Kimioterapia dhe radioterapia, të cilat shkaktojnë dëmtim të qelizave të shijes ose ulje të sasisë së pështymës. Kjo është përgjithësisht një gjendje e përkohshme. Në shumicën e rasteve kemi rikthimin e shijes disa muaj ose një vit pas përfundimit të terapisë.
• Medikamentet. Një numër i madh medikamentesh mund të çojnë në çrregullime të shijes. Në pjesën më të madhe të rasteve problemi zgjidhet me ndërprerjen e medikamentit.
• Materialet e përdorura për mbushje ose proteza. Për shembull, amalgami mund të shkaktojë një shije metalike në gojë.
• Luhatje hormonale. Aftësia për të perceptuar shijen ndryshon përgjatë ciklit menstrual dhe shtatzënisë.
• Sëmundje të tjera sistemike si diabeti, sëmundje të veshkave, të mëlçisë dhe tiroides. Këto sëmundje mund të shkaktojnë ndryshime të shijes nëpërmjet dëmtimit të nervave ose ndryshimeve lokale në gojë.
• Nderhyrjet kirurgjikale në gojë, p.sh. për heqjen e një dhëmbi, por edhe anestezitë lokale mund të çojnë në dëmtimin e nervit që përcjell informacionet mbi shijen.
• Sindroma Riley-Day – ku kemi mungesë totale të qelizave të specializuara të shijes.
Diagnoza bazohet kryesisht te historia mjekësore, ekzaminimi fizik dhe testet e shijes që konsistojnë në aplikimin e substancave në zona specifike të gojës, kryesisht në gjuhë. Substancat janë sheqeri për shijen e ëmbël, uthulla ose acidi citrik për shijen e thartë, kripa për shijen e kripur dhe kinina për atë të hidhur.
Trajtimi i çrregullimeve të shijes varet nga sëmundja kryesore që i ka shkaktuar ato. Suplementet me Zink dhe Vitaminë D janë efikase në disa raste.
• Trajtimi i sëmundjeve të hundës që shkaktojnë probleme me nuhatjen
• Trajtimi i gojës së thatë, sëmundjeve të mukozës së gojës dhe anemisë
• Medikamentet. Nëse çrregullimi i shijes shkaktohet nga një medikament, mund të rekomandohet ulja e dozës ose ndërprerja dhe zëvendësimi me një medikament të ngjashëm
• Në rastin e sëmundjes së trashëguar ku kemi një mungesë totale të qelizave të shijes, trajtimi me metakolinë mund të përmirësojë situatën.
Fjalë kyçe: shija, nuhatja, gripi, trauma