
Çrregullimi i shijes

Otiti te Fëmijët (Infeksioni i veshit)
Çfarë është një infeksion urinar?
Infeksioni urinar është infeksion i urinës që shkaktohet nga bakteret (mikrobet) që futen në urinë. Shkaktarët më të shpeshtë të këtij infeksioni janë bakteret normale që jetojnë në zorrë, dhe që nuk shkaktojnë dëme në zorrë, por mund të shkaktojnë infeksion nëse hyjnë në rrugët e urinës. Infeksioni zakonisht është vetëm në fshikëz (cistiti), por mund të udhëtojë më lart nëpër rrugët e urinës deri në veshka.
Mjekët këtë infeksion të urinës e quajnë infeksion të ‘traktit urinar’. Rreth 1 në 20 djem dhe 1 në 10 vajza kalojnë të paktën një infeksion të urinës deri në moshën 16 vjeç. Për të shmangur përsëritjen dhe ndërlikimet e mundshme në veshka, infeksionet e traktit urinar duhet të diagnostikohen dhe trajtohen shpejt.
Cilat janë simptomat e një infeksioni të urinës?
Foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të kenë një ose disa nga shenjat e mëposhtme: • ethe (temperaturë e lartë)
• grindje jo e zakonshme
• të vjella, diare
• mungesë oreksi
• duket i lodhur
• gjak në urinë (rrallë)
Fëmijët më të rritur:
• dhimbje gjatë urinimit, urinim i shpeshtë (zakonisht janë shenja të cistitit)
• lagja në shtrat e një fëmije që më parë ka qenë i thatë
• temperaturë dhe shenjat e tjera të përmendura më sipër
Si vërtetohet që fëmija ka një infeksion të urinës?
Për të vërtetuar praninë e infeksionit nevojitet marrja e një mostre të urinës. Urina normale nuk ka bakterie (është sterile). Prania e baktereve vërteton infeksionin. Marrja e një mostre ideale të urinës është marrja e urinës në mëngjes dhe në mes të urinimit, pas tualetit të organeve gjenitale. Për fat të keq, bebet dhe fëmijët e vegjël nuk urinojnë me komandë.
Mënyra e marrjes më e mirë është si më poshtë vijon:
• Pastrohet zona përreth
• Pritet momenti dhe tentohet të mblidhet urina në mes të urinimit; e vështirë, por jo e pamundur
Një mënyrë tjetër më e lehtë është përdorimi i qeseve të gatshme sterile (Urinocol) që ngjiten rreth penisit/vulvës pas pastrimit të tyre paraprakisht:
• Fëmijës duhet t’i jetë bërë banjo dhe ndërruar ndresat
• Mirë është të mblidhet urina në mëngjes


Cili është mjekimi i infeksionit të urinës te fëmijët?
• Fëmija duhet të marrë antibiotikë. Mjeku do të vendosë se cilin do të marrë dhe për sa kohë.
• Këshillohet që t’i ofrohet fëmijës sa më shpesh për të pirë, për të parandaluar dehidratimin.
• Në rast temperature do të përdoret paracetamol ose ibuprofen.
Si mund të parandalohet përsëritja e infeksionit urinar?
Nuk është gjithmonë e mundur të parandalohet infeksioni urinar, por është e rëndësishme të sigurohemi që fëmija të pijë mjaftueshëm, të shkojë në tualet kur ka nevojë dhe të mos ‘mbajë’ urinën për një kohë të gjatë. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të shmanget kapsllëku te fëmija, i cili mund të favorizojë kalimin e baktereve të zorrës në rrugët e urinës.
A është e nevojshme bërja e ndonjë testi?
Fëmijët që kanë vetëm një infeksion urinar i cili përmirësohet shpejt, nuk kanë nevojë për asnjë test. Fëmija mund të ketë nevojë për disa teste nëse:
• është shumë i vogël dhe paraqet një infeksion urinar,
• infeksioni shkaktohet nga një bakter jo i zakonshëm,
• infeksioni nuk përmirësohet shpejt me antibiotikë,
• infeksioni përsëritet.
Është mjeku që do të këshillojë testet e nevojshme.
Çfarë testesh mund të nevojiten?
• Testi më i zakonshëm është një ekzaminim me ultratinguj i veshkave. Ai shikon madhësinë dhe formën e veshkave dhe fshikëzës.
• Një skaner DMSA i cili bëhet për të parë nëse ka dëmtime në veshka dhe si punon secila veshkë.
• Një skaner për të kërkuar një ‘refluks’ (ku urina kthehet lart drejt veshkës në vend që të zbresë nga fshikëza gjatë urinimit të fëmijës).
Në çdo rast, mjeku do të japë detajet për testin e nevojshëm.
Fjalë kyçe: Infeksion urinar, trakti urinar, infeksion urinar te fëmijët, simptomat e infeksionit urinar, mjekimi i infeksionit urinar.