Hemoglobinopatitë

Infeksionet akute te rrugeve te frymëmarrjes, çfarë duhet të dimë?
Çfarë është HIV?
HIV është Virusi i Imunodefiçencës Humane – virus që prek dhe dobëson sistemin imunitar të njeriut, duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe disa lloje kanceresh.
Çfarë është AIDS?
Faza më e avancuar e infeksionit HIV është AIDS, i cili mund të zgjasë nga 2 deri në 15 vjet për t’u zhvilluar, në varësi të individit. AIDS përcaktohet nga zhvillimi i llojeve të ndryshme të kancerit, infeksioneve, apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS. Një person i infektuar me HIV nuk është domosdoshmërisht i sëmurë me AIDS.
Si transmetohet HIV?
Transmetimi i HIV-it mund të ndodhë nëpërmjet shkëmbimit të një shumëllojshmërie lëngjesh të infektuara të trupit, si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Disa nga sjelljet dhe kushtet që vënë individët në rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:
- Marrëdhëniet seksuale vaginale ose anale të pambrojtura.
- Pasja e një infeksioni tjetër seksualisht të transmetueshëm, si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginoza bakteriale.
- Shkëmbimi i mjeteve të kontaminuara si gjilpëra, shiringa dhe pajisje të tjera gjatë injektimit të drogës.
- Marrja e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, transplanti i organeve, si dhe procedurat mjekësore me instrumente të mprehta të kontaminuara.
- Shpimet aksidentale me gjilpërë (përfshirë dëmtimet e stafit mjekësor).
Individët nuk mund të infektohen me HIV nëpërmjet kontaktit të zakonshëm të përditshëm, si puthjet, përqafimet, takimi i duarve, ose ndarja e objekteve personale, ushqimit apo ujit.
Cilat janë shenjat e AIDS?
Shenjat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit. Shumë prej njerëzve që jetojnë me HIV nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre pozitive deri në fazat e mëvonshme. Javët e para pas infeksionit fillestar, mund të mos kenë asnjë shenjë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin, si: ethe, dhimbje koke, skuqje ose dhimbje të fytit.
Me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë shenja të tjera, si:
- Fryrje e nyjeve limfatike.
- Humbje e madhe në peshë.
- Ethe/temperaturë.
- Diarre e vazhdueshme.
- Kollë.
Pa trajtim, mund të shfaqen shenja të tjera, sipas llojit të infeksioneve oportuniste.
Si diagnostikohet HIV dhe AIDS?
Sot janë në dispozicion teste të ndryshme që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV-it. Më praktik është testi i shpejtë, i cili mund të kryhet edhe në kushtet e shtëpisë. Ritestimi i individëve që diagnostikohen me HIV është praktikë e mirë për të përjashtuar çdo gabim të mundshëm testimi apo raportimi.
Të gjitha shërbimet e testimit të HIV-it duhet të ndjekin parimet e rekomanduara nga OBSH-ja:
- Informim i miratuar.
- Konfidencialitet.
- Këshillim.
- Rezultate të sakta të testimit.
- Lidhje me shërbimet e tjera mjekësore.
Parandalimi i HIV-it?
Individët mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it, të cilat shpesh përdoren në kombinim, janë:
- Përdorimi korrekt i prezervativit.
- Testimi dhe këshillimi për HIV.
- Rrethprerja mashkullore (syneti).
- Përdorimi i terapisë me antiretroviralë (ARV) për parandalim.
- Reduktimi i ndarjes së shiringave te përdoruesit e drogave intravenoze.
- Eliminimi i transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija.
Trajtimi i AIDS?
Sot infeksioni HIV mund të kontrollohet nëpërmjet përdorimit të terapisë antiretrovirale të kombinuar, e cila përbëhet nga 3 ose më shumë barna antiretrovirale. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit dhe fuqizojnë sistemin imunitar për të luftuar infeksionet. Mjekimi me ARV zgjat gjatë gjithë jetës dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.
