
HIV/AIDS

Hepatiti B
Kur shfaqen dhe cilët prekin më shumë këto infeksione?
Infeksionet respiratore akute (IRA) janë ndër shqetësimet më të shpeshta që shfaqen gjatë muajve të ftohtë të vitit për të gjitha moshat, por infeksionet klinikisht më të rënda hasen kryesisht te fëmijët më të vegjël, te të moshuarit, si dhe te të sëmurët kronikë. Gati çdo individ preket nga këto infeksione 2-3 herë gjatë vitit, prandaj këto sëmundje bëhen shkaku kryesor i mungesave në punë, kopshte fëmijësh, shkollë, etj.
Shkaktarët e IRA
Njihen mbi 200 viruse që shkaktojnë infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes dhe në afro 90% të rasteve shkaktarët më të zakonshëm janë: Rhinovirus, Adenovirus, Influenza, Parainfluenza dhe më rrallë bakteret dhe kërpudhat. Bartja e infeksionit bëhet me rrugë ajrore (aerogjene) në kontakte të afërta me të infektuarin.
Si klasifikohen këto infeksione dhe shenjat kryesore klinike
IRA klasifikohen në infeksione që prekin rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe klinikisht shfaqen si rinit, faringit, tonsilit (bajamet), laringit, sinuzit, dhe në infeksione që prekin rrugët e poshtme të frymëmarrjes, të cilat japin kuadrin klinik të bronkitit, bronkiolitit dhe pneumonisë. Nga këto infeksione veçohen dy entitete më të shpeshta klinike që janë: rrufa stinore dhe gripi.
IRA shpesh shfaqen në formën e epidemive me një periudhë inkubacioni 1-2 ditë. Manifestohen me tharje e djegie të fytit e grykës, teshtitje, lodhje, dobësi, kollë të thatë, rritje të lehta të temperaturës, dhimbje koke dhe rrjedhje të sekrecioneve nga hundët. Sëmundja zgjat zakonisht deri në 7 ditë dhe në përgjithësi vetëshërohet. Prania e shenjave klinike mbi 10 ditë shton dyshimin për infeksione dytësore me origjinë bakteriale. Te fëmijët nuk janë të rralla ndërlikimet me kuadrin klinik të otitit apo sinuzitit.
Mjekimi i IRA
Antibiotikët nuk kanë asnjë efekt mbi viruset dhe nuk duhet të përdoren pa kriter në rrufën stinore (ftohjet) dhe në gjendjet gripale (mbasi 90% e infeksioneve të frymëmarrjes janë me origjinë virale dhe antibiotikët nuk veprojnë mbi viruset). Mund të përdoren dhe preparate antivirale si Amantadina, Rimantadina, Oseltamivir, nëse jepen në dy ditët e para nga fillimi i sëmundjes. Dhënia e këtyre preparateve për 5 ditë lehtëson shenjat dhe gravitetin e sëmundjes, dhe ndërlikimet shfaqen më rrallë. Antibiotikët përdoren vetëm për të trajtuar infeksionet bakteriale, sipas rekomandimit të mjekut. Përdorimi i panevojshëm dhe i shtuar i antibiotikëve zvogëlon fuqinë e tyre për të vepruar kur përdorimi i tyre është vërtet i nevojshëm për të trajtuar infeksionet bakteriale. Keqpërdorimi çon në zhvillimin e rezistencës së baktereve ndaj antibiotikut dhe me kalimin e kohës bën që rezistenca të rritet dhe të zvogëlohet numri i antibiotikëve që janë të efektshëm. Nëse duam që antibiotikët të vazhdojnë të jenë efektivë, duhet t’i përdorim ato në mënyrë të përshtatshme dhe racionale.
Në të gjitha rastet e infeksioneve respiratore të shkaktuara nga agjentë viralë, mjekimi është simptomatik, që synon lehtësimin e simptomave të organit të prekur. Për dhimbjen e fytit mund të jenë spray me përbërës analgjezik/antiseptik, tableta që treten në gojë, solucione për kongjestionin e hundës, shpëlarje me solucione fiziologjike izotonike/hipertonike, ndërsa për dhimbjen dhe temperaturën do të ishte përdorimi i analgjezikëve dhe antipiretikëve (p.sh. Paracetamol 0,5, 3-4 herë në ditë). Sigurisht, marrja e lëngjeve, frutave dhe perimeve të freskëta, si dhe terapia me vitamina është gjithashtu e rëndësishme.
IRA parandalohen duke marrë një sërë masash si: shmangia e qëndrimit të zgjatur në dhoma të mbyllura me shumë njerëz, ajrimi i shpeshtë i dhomave, larja e shpeshtë e duarve, lënia e duhanit, marrja e frutave dhe perimeve të freskëta, suplementet e vitaminave, zink, magnez dhe vitamina C, si dhe aktiviteti fizik. Vaksina kundër gripit siguron një shkallë të përshtatshme mbrojtjeje kundër viruseve të gripit, por jo kundër llojeve të tjera të viruseve.