
Infeksionet e traktit urinar te fëmijët

A E ZËVENDËSON INTELIGJENCA ARTIFICIALE (IA) ROLIN E MJEKUT?
Hyrje
Infeksionet e veshit zakonisht ndahen në otit të jashtëm (infeksion i veshit të jashtëm që ndodh në kanalin e veshit) dhe otit të mesëm (infeksion i veshit të mesëm që ndodh në hapësirën e vendosur pas daulles së veshit, që në gjuhën mjekësore quhet membrana timpanike).
Ne do të flasim për infeksionet e veshit të mesëm, duke qenë se ato hasen më shpesh në moshën fëminore. Më shumë se 80 për qind e fëmijëve kalojnë të paktën një episod të otitit të mesëm deri në moshën 3 vjeç. Otiti i mesëm mund të shfaqet edhe te të rriturit, sidoqoftë është një infeksion që haset kryesisht tek fëmijët.
Cilat janë shkaqet që mund të favorizojnë infeksionin e veshit?
Çdo fëmijë mund të kalojë një otit të mesëm, por ka fëmijë që preken më shpesh. Disa nga faktorët që mund të rrisin rrezikun për të zhvilluar infeksion të veshit janë:
- Duhanpirja në familje
- Histori familjare për infeksione të veshit
- Një sistem imunitar i dobët
- Frekuentimi i çerdhes
- Mungesa e ushqyerjes me gji
- Prania e një infeksioni të rrugëve respiratore (ftohje, rufë)
- Ushqyerja e fëmijës me shishe në pozicion shtrirë
Çfarë e shkakton otitin e mesëm?
Otiti i mesëm shkaktohet nga një bakter ose virus që hyn në veshin e mesëm. Ky mikrob ose virus zakonisht hyn në vesh nëpërmjet një tubi që lidh veshin e mesëm me pjesën e sipërme të fytit dhe hundën (tubi i Eustakut). Kur ky tub mbushet me sekrecione (gjatë një rrufeje apo infeksioni të sipërm të rrugëve të frymëmarrjes), pengohet rrjedhja normale e lëngut nga veshi i mesëm, duke shkaktuar një grumbullim të lëngut dhe rritjen e baktereve dhe viruseve në vesh, që çojnë në infektimin e veshit të mesëm.
Cilat janë simptomat e otitit të mesëm?
Ato mund të përfshijnë:
- Grindje jo e zakonshme
- Zgjim natën me të qara
- Kapja me dorë e veshit dhe grindje
- Temperaturë
- Rrjedhje e lëngut nga veshi
- Vështirësi në dëgjim
- Dhimbje veshi (te fëmijët më të rritur që mund të shprehen)
- Humbje ekuilibri
Si diagnostikohet otiti i mesëm?
Është mjeku ai që diagnostikon infeksionin në vesh duke përdorur otoskopin, i cili është një instrument me dritë që lejon mjekun të shohë brenda veshit. Për fëmijët që kanë infeksione të shpeshta të veshit, mund të nevojitet një test i dëgjimit. Është e rëndësishme që otiti i mesëm të diagnostikohet dhe mjekohet në kohë, për të shmangur ndërlikimet e mundshme si humbja e dëgjimit, vonesa në të folur apo përhapja e infeksionit në pjesë të tjera të kokës.
Trajtimi i otitit të mesëm
Trajtimi i otitit të mesëm do të përcaktohet nga mjeku. Ai mund të përfshijë: antibiotikë nga goja dhe medikamente për qetësimin e dhimbjes.

Fjalë kyçe: otit, infeksion, fëmijë.