Halitoza (Era e keqe e gojës)

Gurët në tëmth
Infeksionet nga meningokoku janë sëmundje të shkaktuara nga mikrobi i Meningokokut (Neisseria meningitidis/Meningococcus). Format më të zakonshme të infeksionit nga ky mikrob janë:
- Meningiti. Është infeksioni i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore.
- Meningokoksemia. Është infeksion që, nëpërmjet qarkullimit të gjakut, përhapet në të gjithë trupin.
Infeksionet nga meningokoku nuk janë të zakonshme, por mund të jenë fatale. Ato ndodhin më shpesh në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës. Fëmijët janë ata që preken më shpesh, por sëmundjet ndodhin edhe te adoleshentët dhe të rriturit. Ekzistojnë vaksina që mund të ndihmojnë në parandalimin e infeksionit.
Çfarë i shkakton infeksionet nga meningokoku te një fëmijë?
Infeksionet shkaktohen nga bakteret e quajtura Neisseria meningitidis, të cilat kanë disa tipe. Bakteret përhapen nëpërmjet kontaktit të ngushtë me një person të infektuar. Më të rrezikuar janë fëmijët që qëndrojnë në kolektiva si shkolla dhe kopshte, si dhe ata që nuk janë të vaksinuar ndaj meningokokut.
Cilat janë simptomat e infeksioneve nga meningokoku te një fëmijë?
Për meningitin, simptomat më të zakonshme te fëmijët përfshijnë: temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje në qafë ose në shpinë, të vjella, përgjumësi e alternuar me grindje, si dhe ngurtësi të qafës.
Për meningokokseminë, duhet theksuar se është një sëmundje kërcënuese për jetën. Simptomat mund të shfaqen papritur dhe të përkeqësohen shpejt. Simptomat më të zakonshme përfshijnë: temperaturë të lartë, dhimbje koke, të vjella, ndjeshmëri ndaj dritës, përgjumësi dhe dobësi të madhe (letargji).
Shumë të rëndësishme janë shfaqja e njollave të vogla, të kuqe dhe të sheshta, të cilat shumë shpejt shndërrohen në njolla më të mëdha, të kuqe ose vjollcë, që mund të duken si mavijosje, ulja e tensionit të gjakut dhe shfaqja e hemorragjive.
Si diagnostikohen infeksionet nga meningokoku te fëmijët?
Punonjësi shëndetësor do të pyesë për simptomat që fëmija paraqet dhe, pasi ta ekzaminojë, do të urdhërojë kryerjen e disa testeve, si:
- Punksioni lumbar: Nëpërmjet një gjilpëre merret material nga kanali i palcës së kurrizit (lëng cerebrospinal) dhe dërgohet në laborator. Lëngu kontrollohet edhe për tipin e bakterit. Theksohet se ky test nuk ka asnjë pasojë apo rrezik për fëmijën.
- Analizat e gjakut: Gjaku po ashtu kontrollohet për praninë e meningokokut. Analiza të tjera gjaku bëhen për të vlerësuar rëndësinë e infeksionit, pasojat dhe për të ndjekur ecurinë e tij.
Si trajtohen infeksionet nga meningokoku te fëmijët?
Trajtimi është urgjent. Fëmija duhet të trajtohet në spital me antibiotikë intravenozë dhe mjekime të tjera mbështetëse, sipas nevojës.
Si mund të parandalohen infeksionet nga meningokoku?
Infeksionet nga meningokoku parandalohen nëpërmjet vaksinimit. Ekzistojnë disa lloje vaksinash për mbrojtje. Për të marrë vaksinën e duhur, në varësi të moshës së fëmijës dhe tipit të meningokokut, duhet konsultimi me punonjësin shëndetësor.
Fjalë kyçe: Meningokok, Meningit, Infeksion i rëndë