
Kanceri i pankreasit

Influenza (gripi stinor)
Çfarë është kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit është një lloj kanceri që fillon në gji. Ai mund të fillojë në njërin apo në të dy gjijtë. Ai takohet kryesisht te gratë, por edhe meshkujt mund të kenë kancer të gjirit.
Kanceri i gjirit fillon kur rritja e qelizave të indit të gjirit zhvillohet në mënyrë jo normale, jashtë kontrollit. Është e rëndësishme të dihet që shumë tumore (gjëndra, kokrra) të gjirit nuk janë kancer, por janë beninje. Në këto raste ka rritje jo normale të qelizave, por ato nuk përhapen jashtë gjirit. Çdo lloj gjëndre ose kokrre në gji kërkon kontroll te mjeku për të saktësuar nëse është beninje ose kancer, si dhe për të vlerësuar rreziqet për të ardhmen.
Ku fillon kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit. Në secilin nga gjijtë ndodhen këto inde:
- Lobulat (gjëndrat që prodhojnë qumështin): kanceri që fillon nga to quhet kancer lobular.
- Duktuset (kanalet e vogla që mbledhin qumështin): kanceri që fillon nga to quhet kancer duktal dhe është më i zakonshmi.
- Thithat (pjesa që hapet në lëkurë dhe ku duktuset e vogla bashkohen në më të mëdha për të lejuar qumështin të dalë nga gjiri): kanceri që fillon këtu quhet kanceri Paget.
- Stroma (indi dhjamor dhe konjuktiv që mbështjell lobulat dhe duktuset): kanceri që fillon këtu quhet kanceri stromal dhe është i rrallë.
- Enët e gjakut dhe limfatike: Angiosarkoma është një lloj kanceri i rrallë i gjirit që fillon këtu. Nëpërmjet enëve limfatike, qelizat e kancerit mund të përhapen në limfonodula dhe në të gjithë trupin.
Çfarë e shkakton kancerin e gjirit?
Nuk dihet me saktësi se çfarë e shkakton kancerin e gjirit. Ajo që dihet është se qelizat normale të gjirit bëhen kancerogjene për shkak të ndryshimeve ose mutacioneve në gjene. Këto ndryshime në gjene mund të jenë:
- Të lindura (5%-10% e rasteve): gjene të njohura me veti kancerogjene që trashëgohen nga prindërit.
- Të fituara (90% e rasteve): nga shkaqe ende të panjohura.
Cilët janë faktorët e rrezikut për të shkaktuar kancer të gjirit?
- Histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht nëse prek nënën, motrën ose vajzën).
- Histori familjare me kancer të vezoreve.
- Mosushqyerja me gji e fëmijës.
- Mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzë.
- Përdorimi i alkoolit.
- Duhanpirja.
- Terapia me hormone gjatë menopauzës.
- Marrja e kontraceptivëve oralë pa kontroll mjekësor.
- Mungesa e aktivitetit fizik.
- Implantet e gjirit.
Cilat janë simptomat e kancerit të gjirit?
- Gjëndër ose kokërr në gji ose nën sqetull.
- Ndryshim në formën ose madhësinë e gjirit.
- Ndryshim në lëkurën e gjirit, si gropëza ose tërheqje.
- Skuqje ose ënjtje në gjinjtë, përreth tyre ose nën sqetull.
- Futje brenda e thithës së gjirit.
- Rrjedhje lëngu nga thitha e gjirit.
- Kore ose luspa në thithën e gjirit.
- Puçrra të imta në majë të gjirit ose përreth tij.
Diagnoza
Për çdo shenjë të mësipërme ose dyshim, duhet të drejtoheni te mjeku, i cili do të vlerësojë gjendjen dhe do të rekomandojë ekzaminimet e nevojshme për rastin.
Si të parandalojmë ose të ulim rrezikun për të zhvilluar kancer të gjirit?
- Kontrolli i vazhdueshëm (depistimi) për ndonjë shenjë çdo 6-12 muaj, sipas këshillës së mjekut.
- Mamografia çdo vit, sidomos pas moshës 50 vjeç.
- Këshillimi gjenetik, nëse ka raste në familje.
Mjekimi
Sot ka edhe barna që mund të përdoren për parandalim (si Tamoxifen, Raloxifen, etj.). Këto barna kanë edhe efekte anësore, prandaj duhet gjithmonë këshillimi me mjekun.