
Sëmundja këmbë – duar – gojë
Menaxhimi i Sëmundjes së Parkinsonit me anë të ushtrimeve
Sot, në mbarë botën, një numër gjithnjë e më i madh individësh vuajnë nga sëmundje të shkaktuara nga mbipesha dhe, veçanërisht, nga obeziteti. Është fjala për ata individë që preferojnë jetën sedentare kundrejt aktivitetit fizik. Një ushqyerje jo e shëndetshme, e shoqëruar me mungesën e vazhdueshme të aktivitetit fizik, çon fillimisht në mbipeshë e më pas në obezitet. Është mjaft e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet peshës normale, mbipeshës dhe obezitetit.
Çfarë është obeziteti?
Obeziteti është një sëmundje komplekse, kronike, me shkaqe të shumta që çojnë në akumulim të yndyrës së tepërt në organizëm. Yndyra e trupit në vetvete nuk është një sëmundje, sigurisht, por kur ka shumë yndyrë në trup, ajo mund të ndryshojë mënyrën se si funksionon organizmi. Këto ndryshime janë progresive, mund të përkeqësohen me kalimin e kohës dhe të çojnë në efekte negative shëndetësore.
Për të përcaktuar se cilës prej tri formave të mësipërme i përkasim, i referohemi indeksit të masës trupore (IMT). IMT-ja llogaritet me raportin e peshës trupore të shprehur në kg dhe gjatësisë trupore të shprehur në m² (P(kg)/Gj(m)²). Formula e IMT-së konsiderohet në ditët e sotme si tregues bazë për dallimin e formave të ndryshme të mbipeshës/obezitetit.
Shkallëzimi i Peshës Normale, Mbipeshës dhe Obezitetit, sipas vlerave të IMT-së:
• IMT-ja vlen për individët mbi 18 vjeç.
• Pesha normale (ideale) i korrespondon vlerave të IMT-së ndërmjet 19 dhe 24 kg/m² për femrat, dhe 20–24 kg/m² për meshkujt.
• Mbipesha i korrespondon vlerave të IMT-së ndërmjet 25 dhe 30 kg/m².
• Obeziteti i korrespondon vlerave të IMT-së mbi 30 kg/m².
• Obeziteti i rëndë, që shkakton sëmundje serioze, i korrespondon vlerave të IMT-së mbi 40 kg/m².
Obeziteti po shndërrohet në epidemi botërore.
Një në 6 fëmijë do të jetë obez deri në vitin 2050, tendencë kjo që duhet frenuar me masa urgjente, për të luftuar epideminë e obezitetit, ku përparësi duhet të kenë femrat. Sipas të dhënave statistikore, nga mesi i shekullit, një e treta e fëmijëve dhe adoleshentëve (385 milionë në total) do të jenë mbipeshë ose obezë (360 milionë në total). Duke u ndarë sipas grupmoshave, kjo do të thotë se do të ketë 356 milionë fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeç dhe 390 milionë adoleshentë të moshës 15 deri në 24 vjeç me probleme serioze me peshën. Nga viti 1990 deri në vitin 2021, shkalla globale e obezitetit u trefishua në grupmoshën 5–24 vjeç: dëshmi se politikat aktuale për të luftuar obezitetin nuk funksionojnë. Që nga viti 2021, 493 milionë fëmijë ishin mbipeshë ose obezë. Përparimi i kësaj epidemie do të jetë veçanërisht i shpejtë në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Karaibet, ku numri i madh i banorëve është i kombinuar me problemin e burimeve të kufizuara. Ndërsa Kina, Egjipti, India dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë shtëpitë e numrit më të madh të fëmijëve dhe adoleshentëve obezë në vitin 2050.
Është shumë e vështirë që obeziteti të zgjidhet pas adoleshencës, kështu që parandalimi është thelbësor. Një brez i ri njerëzish obezë ose me mbipeshë do të përkthehet në brezat e ardhshëm të të rriturve që do të luftojnë me diabetin, sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, kancerin, problemet e fertilitetit dhe problemet e shëndetit mendor, me kosto astronomike për sistemet globale shëndetësore.
Ndërlikimet e mundshme.
Rreziku i sëmundjeve dytësore është i lidhur ngushtë me shkallën e mbipeshës. Obeziteti mund të jetë shkaktar i sëmundjeve të zemrës (përfshirë edhe infarktin e miokardit, pamjaftueshmërinë e punës së zemrës), si pasojë e depozitimit të yndyrnave në zemër, arteriosklerozës, diabetit të sheqerit të tipit 2, rritjes së nivelit të yndyrnave në gjak (kolesterolit dhe triglicerideve), gurëve në fshikëzën e tëmthit, trombozave të venave të këmbëve me ngushtim të pjesshëm ose të plotë të tyre, dëmtimeve të kyçeve (artrozës), si dhe ndërlikimeve gjatë shtatzënisë.
Trajtimi.
Tek personat obezë, rënia në peshë ndikon në mënyrë tepër pozitive mbi nivelin e kolesterolit në gjak dhe në parandalimin ose kufizimin e sëmundjeve dytësore. Pasi përjashtohet një sëmundje shkaktare e obezitetit, trajtimi i tij bazohet në tre drejtime:
- Këshillimi dietetik dhe kufizimi i kalorazhit ditor në ushqimet e konsumuara.
- Terapia e sjelljes (ndryshimi i të sjellurit ndaj ushqimeve).
- Aktiviteti fizik.
Medikamentet.
Tek personat tepër obezë është pothuajse e pamundur të arrihet rënie në peshë vetëm nëpërmjet kufizimit ushqimor dhe aktivitetit fizik. Në këto raste, shumë shpesh është i nevojshëm edhe trajtimi me medikamente. Ndër medikamentet e përdorura bëjnë pjesë:
- Medikamentet që pakësojnë oreksin
- Frenuesit e përthithjes së yndyrnave në sistemin tretës
- Substancat që shkaktojnë ndjesinë e ngopjes
Këto medikamente mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara në organizëm, prandaj ato mund të përdoren vetëm nën këshillimin dhe ndjekjen e vazhdueshme nga mjeku specialist.
Operacionet. Në cilat raste mund të përdoret ndërhyrja kirurgjikale?
- Në të gjitha rastet kur strategjitë e mësipërme nuk japin rezultat, kur obeziteti i theksuar ka arritur të prishë cilësinë e jetës së individit, kur ka dhënë ndërlikime serioze në organizëm, ose edhe vetëm për arsye estetike.
- Çdo ndërhyrje kirurgjikale duhet të kryhet vetëm nga mjeku specialist, që në këtë rast është kirurgu i specializuar për ndërhyrje të kësaj natyre.
Mos prisni mrekulli!
Pesha ideale nuk mund të arrihet menjëherë, brenda disa javëve. Për të realizuar një rënie në peshë graduale dhe të shëndetshme, duhet pasur mjaft durim, në mënyrë që t’i lihet koha e mjaftueshme organizmit për t’u përshtatur me mënyrën e re të ushqyerjes dhe stilin e ndryshëm të jetesës.
Fjalë kyçe: obeziteti, yndyrnat në gjak, mbipesha trupore, vlerat e IMT-së, epidemi e obezitetit, medikamentet për obezitetin.