
Fizioterapia nuk është masazh!

OBEZITETI PO SHNDËRROHET NË EPIDEMI BOTËRORE!
1. Çfarë është…
Sëmundja këmbë – duar – gojë është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një virus (infeksion viral) që prek kryesisht fëmijët. Kjo sëmundje përhapet përmes kontaktit të ngushtë me personat e infektuar ose përmes sipërfaqeve të kontaminuara. Emërtimi i sëmundjes vjen pikërisht për shkak se simptomat karakteristike të saj shfaqen në këmbë, duar dhe gojë.
2. Simptomat…
Simptomat e sëmundjes këmbë – duar – gojë shpesh fillojnë të shfaqen pas një periudhe inkubacioni që zgjat nga 3 deri në 7 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Kjo do të thotë që, nëse një person ka hyrë në kontakt me virusin, mund të kalojnë disa ditë para se të shfaqen simptomat e para.
Simptomat fillestare zakonisht përfshijnë:
- Temperaturë e lartë (ndonjëherë deri në 39°C).
- Dhimbje koke dhe ndjesi lodhjeje.
- Mungesë oreksi.
- Irritim i gojës, si dhimbje dhe plagë të vogla.
Pas 1–2 ditësh, puçrrat karakteristike shfaqen në duar, këmbë dhe gojë. Më konkretisht, në duar dhe këmbë shfaqen puçrra të vogla të kuqe të mbushura me lëng. Më së shumti shfaqen në pjesën e gishtërinjve. Lëkura duket e skuqur dhe, ndonjëherë, puçrrat mund të jenë edhe të dhimbshme gjatë ecjes. Ndërsa në gojë mund të shfaqen plagë të vogla, të kuqe dhe të dhimbshme, kryesisht në brendësi të buzëve, në gjuhë dhe në pjesën e pasme të gojës. Këto plagë mund të shkaktojnë dhimbje dhe ndjesi parehatie, duke vështirësuar ngrënien e ushqimit, veçanërisht ushqimet e ngrohta ose të forta.
3. Kush preket…
Sëmundja mund të prekë këdo, por është më e zakonshme dhe me simptoma më të rënda mes fëmijëve, kryesisht nën 5 vjeç. Mundësia e përhapjes është e lartë për fëmijët që frekuentojnë kopshte, çerdhe, shkolla, për shkak të përhapjes së lehtë përmes kontaktit të ngushtë.
Edhe të rriturit mund të preken nga sëmundja, ndonëse ndodh më rrallë dhe me simptoma më të lehta. Nëse të rriturit nuk e kanë kaluar më parë këtë sëmundje, ka më shumë mundësi që të infektohen, veçanërisht nëse kanë kontakt të ngushtë me fëmijët e infektuar.
4. Shkaqet
Sëmundja këmbë – duar – gojë është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një enterovirus, më konkretisht nga një coxsackievirus. Ky lloj virusi përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet e trupit të personave të infektuar, si p.sh. pështyma, teshtima, kollitja dhe kontakti me puçrrat që shfaqen në lëkurë. Po ashtu, virusi mund të përhapet përmes sipërfaqeve të ndotura, si lodra, mbulesa dhe objekte të tjera që mund të jenë kontaminuar me lëngje trupore të infektuar.
5. Trajtimet e mundshme
Trajtimi i sëmundjes do të jetë më tepër trajtim simptomatik. Konkretisht, përfshihet:
- Trajtim për uljen e temperaturës me paracetamol ose ibuprofen (nuk preferohet aspirina tek fëmijët).
- Hidratimi i duhur për të shmangur dehidratimin, me pije të ftohta.
- Përdorimi i shpëlarësve të gojës me kripë dhe xhel të posaçëm për lehtësimin e dhimbjes së gojës.
- Përdorimi i kremërave hidratues dhe pomadave për kujdesin ndaj lëkurës, sipas këshillave të mjekut.
Sëmundja shërohet brenda pak ditësh. Nëse shfaqen simptoma më serioze, duhet të kërkohet kujdes mjekësor.
Për të parandaluar sëmundjen këmbë – duar – gojë, është e rëndësishme të ruhet higjiena e përshtatshme. Larja e duarve me sapun dhe ujë është thelbësore, sidomos pas përdorimit të tualetit dhe para ngrënies. Duhet shmangur kontakti i ngushtë me personat që kanë simptoma dhe të përdoren dezinfektantë për të pastruar sipërfaqet e ndotura.
6. Mjekimet
Mjekimet përfshijnë qetësues për temperaturën si paracetamol dhe ibuprofen, xhel dhe shpëlarës për gojën, kremra dhe pomada për lëkurën.
Fjalët kyçe : infeksion, virus, sëmundja këmbë – duar – gojë, infeksion viral.