
Artriti Rheumatoid (RA)

AFTA
Obeziteti është një problem mjekësor i rëndësishëm edhe në moshën fëminore, pasi mund të çojë në zhvillimin e problemeve shëndetësore që më parë konsideroheshin tipike vetëm për të rriturit, si diabeti, hipertensioni dhe nivelet e larta të kolesterolit. Përveç rreziqeve shëndetësore fizike, obeziteti shpesh ndikon negativisht në vetëvlerësimin e fëmijëve, duke rritur rrezikun për zhvillimin e depresionit.
Strategjia më e mirë për uljen e obezitetit te fëmijët përfshin përmirësimin e zakoneve të ushqyerjes dhe aktivitetit fizik, jo vetëm për fëmijën, por edhe për gjithë familjen. Trajtimi dhe parandalimi i obezitetit te fëmijët është thelbësor për të ruajtur shëndetin e tyre, si tani ashtu edhe në të ardhmen.
Çfarë është Obeziteti te Fëmijët?
Obeziteti ndodh kur një fëmijë ka një peshë shumë më të madhe se ajo që është e përshtatshme për gjatësinë e tij. Të gjithë fëmijët, gjatë fazave të ndryshme të rritjes, kanë një sasi dhjami në trupin e tyre, por kjo nuk do të thotë se janë obezë.
Për të përcaktuar nëse një fëmijë është mbipeshë apo obez, përdoret Indeksi i Masës së Trupit (BMI – Body Mass Index), i cili është raporti midis peshës dhe gjatësisë së trupit. Për këtë, është e rëndësishme të drejtoheni te një mjek specialist, i cili kryen matjet përkatëse dhe përcakton nëse fëmija është mbipeshë ose obez. Mjeku gjithashtu mund të vendosë nëse ka nevojë për ekzaminime të tjera shtesë për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të fëmijës.
Cilat janë shkaqet e Obezitetit?
- Marrja e rregullt e ushqimeve me shumë kalori si fast foods, lëngjet me shumë sheqer, ëmbëlsirat.
- Mungesa e ushtrimeve fizike (fëmija nuk harxhon shumë kalori); kalimi i një pjese të madhe të kohës para televizorit ose lojërave video.
- Faktorët familjarë: nëse fëmija ka prindër obezë, ai ka më shumë mundësi të jetë obez.
- Faktorë psikologjikë si stresi në familje, te prindërit ose te vetë fëmija. Disa fëmijë, për të përballuar problemet, stresin ose mërzinë, hanë shumë më tepër sesa kanë nevojë. Prindërit e tyre mund të kenë të njëjtat prirje.
- Faktorët ekonomiko-socialë: burimet e pakta financiare i detyrojnë familjet të konsumojnë ushqime më ekonomike, por më pak të shëndetshme. Po ashtu, individët që jetojnë në zona me të ardhura të ulëta kanë më pak mundësi të frekuentojnë vende të përshtatshme për aktivitet fizik.
Cilat janë ndërlikimet e Obezitetit?
Obeziteti te fëmijët shpesh jep ndërlikime mjekësore, sociale dhe emocionale që përfshijnë:
- Diabeti i tipit 2.
- Presion të lartë të gjakut dhe kolesterol të lartë në gjak.
- Probleme me frymëmarrjen: Astma takohet më shpesh dhe është më e rëndë te fëmijët obezë.
- Dhjamosje të mëlçisë me pasojë dëmtimin e funksionit të saj.
- Bullizim nga bashkëmoshatarët, humbje e vlerësimit për veten dhe rritje të rrezikut për depresion dhe ankth.
Si mund ta mjekojmë Obezitetin?
- Këshillim nga një nutricionist dhe modifikimi i dietës në cilësi dhe në kalori.
- Shtimi i aktivitetit fizik.
- Pjesëmarrja e gjithë familjes për të mbështetur ndryshimet në stilin e jetës dhe të ushqyerjes.
- Kontrolli i rregullt nga mjeku për peshën dhe BMI.