
Hipertensioni Arterial (HTA)

Rinofaringiti rrufa dhe kolla te fëmijët
(Të fikëtit apo Zalisja)
Sinkopa kardiake është një formë e të fikëtit ose humbjes së papritur të vetëdijes, që vjen nga një ndërprerje e përkohshme e funksionit të sistemit kardiovaskular, e shkaktuar nga një ulje e rrahjeve të zemrës (bradikardia nën 40/minutë) dhe e presionit të gjakut (nën 60 mmHg) për shkak të zgjerimit të enëve periferike, çka sjell si pasojë mosfurnizimin e duhur me gjak të trurit. Ngadalësimi i rrahjeve të zemrës mund të bëhet shkak jo vetëm për të fikëtin, por edhe për vdekjen e papritur.
Në shumë raste, sinkopa kardiake është një fenomen i përkohshëm, por në raste të tjera të fikëtit mund të jetë intensiv dhe të shkaktojë humbje të përkohshme të vetëdijes dhe forcës muskulore, duke e bërë personin të bjerë papritur në tokë.
Është e rëndësishme që kjo situatë të mos ngatërrohet me vertigon apo marramendjen. Ekzistojnë lloje të ndryshme të sinkopës, të cilat mund të klasifikohen bazuar në mekanizmin e fillimit dhe zhvillimit të tyre. Më të zakonshmet janë:
• Sinkopa Vazovagale. Shkaktohet nga hiperaktiviteti cerebral i nervit vagus, që mund të vijë si pasojë e emocioneve të forta, stërvitjes intensive, temperaturës së lartë, arrestit kardiak, si dhe nga disa ilaçe, si qetësuesit, nikotina, bllokuesit beta-adrenergjikë dhe antihipertensivet.
• Sinkopa Pozicionale. Ndodh kur një person ndryshon papritur pozicionin, p.sh., duke u ngritur shumë shpejt nga shtrati.
• Sinkopa për shkak të dehidrimit (humbjes së lëngjeve). Kjo ndodh kur ka një rënie të theksuar të vëllimit të gjakut.
• Sinkopa Neurometabolike. Karakterizohet nga një ulje e metabolizmit të qelizës cerebrale, e shkaktuar nga një sëmundje metabolike që mund të provokojë ndryshime në nivelet e elektroliteve, si p.sh., hipokalemia ose hiponatremia. Diabetikët me nivele të ulëta të sheqerit nën 70 mg/dl, alkoolistët, si dhe konsumuesit e kafesë, duhanit dhe drogës, kanë prirje më të lartë për të fikët.
Llojet e sinkopës vazovagale janë:
a) E thjeshtë ose primare. Karakterizohet nga ndodhja spontane dhe pa një arsye specifike.
b) Të përsëritura ose dytësore. Ndodh kur të fikëtit përsëritet me kalimin e kohës tek i njëjti person. Mund të shkaktohet nga një aktivitet specifik, si p.sh., ngritja shumë shpejt nga shtrati, qëndrimi për kohë të gjatë në këmbë, nga pamja e njollave ose rrjedhës së gjakut, pas dhimbjeve të forta, si dhe nga situata stresuese ose ankth.
Pacientit i shfaqet papritur një errësim para syve ose xixa, marramendje, të përziera dhe të vjella, djersitje, dhimbje në kraharor, si dhe mosmbajtje e urinës dhe jashtëqitjes.
Dallimi midis Sinkopës Vazovagale dhe Lipotimisë
Dallimi kryesor midis sinkopës dhe lipotimisë qëndron në origjinën e simptomave. Simptomat e sinkopës vazovagale ndodhin kur ka një rënie të furnizimit me gjak në tru, ndërsa lipotimia ndodh shpesh për shkak të niveleve shumë të ulëta të glukozës në gjak. Lipotimia zakonisht shoqërohet me hipoglicemi, domethënë me nivele të ulëta të sheqerit në gjak.
Dallimi nëpërmjet simptomave. Sinkopa vazovagale karakterizohet nga një humbje e shkurtër e vetëdijes, ndryshe nga lipotimia, e cila në përgjithësi paraqet simptoma si konfuzion, të folur të paqartë, humbje të koordinimit motorik dhe dobësi muskulore. Megjithatë, në disa raste lipotimia mund të përfshijë edhe një humbje momentale të vetëdijes. Kjo situatë është më e zakonshme tek të rriturit mbi 40 vjeç, megjithëse ndonjëherë ndodh edhe tek adoleshentët.
Si duhet vepruar në vendngjarje me të sëmurin e rrëzuar pa ndjenja?
Një person që i ka rënë të fikët mund të rikthehet shpejt në vetëdije ose, në rastet më të rënda, mund të përballet me rrezik për jetën brenda pak minutave apo më vonë. Faktorë si gjendja e përgjithshme e organizmit (sidomos e zemrës dhe e enëve të gjakut), vendi i rrëzimit, cilësia e ndihmës së parë etj., luajnë një rol vendimtar në këtë proces. Kjo përbën një urgjencë të zakonshme mjekësore, që kërkon ndërhyrje të shpejtë për të shmangur pasojat e mundshme. I sëmuri duhet të shtrihet me këmbët të ngritura më lart se koka, duke përulur lehtë kokën prapa për të liruar sa më shumë rrugët e ajrit. Koka mund të mbështetet mbi disa jastëkë ose mbi një tjetër mbështetje të improvizuar. Fytyra e pacientit duhet të jetë e kthyer nga lart (drejt qiellit), dhe koka të jetë më poshtë se trupi, me trupin të mbajtur nën nivelin e gjymtyrëve. Nëse personi ka të vjella, pozicioni i rekomanduar është gjysmë anash ose anash, në “pozicionin e vrapuesit,” me dorën e anës së kthyer nën kokë, duke mbajtur kokën të përkulur mbrapa. Dhënia e lëngjeve, si lëng frutash ose ujë me sheqer, rekomandohet për personat me djersë të shumta. Lagia e fytyrës me ujë të ftohtë mund të ndihmojë kthjellimin e personit, ashtu si edhe vendosja në hundë e një tamponi të lagur me alkool ose amoniak. Gjatë transportit për në spital, viktima duhet të mbahet në pozicionin e dhënë më sipër për të ruajtur stabilitetin e gjendjes.
Fjalë kyçe: Sinkopa, lipotimia, të fikëtit.