Menaxhimi i Sëmundjes së Parkinsonit me anë të ushtrimeve
Rëndësia e lojës barkas (tummy time) në zhvillimin e fëmijës gjatë vitit të parë të jetës
Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” do të krijojë për herë të parë një çip që, brenda disa minutave deri në dy orë, do t’u japë mjekëve përgjigjen e saktë për antibiotikun më të përshtatshëm për trajtimin e infeksioneve.
Më konkretisht, bëhet fjalë për një projekt të financuar nga Komuniteti Evropian, i quajtur Projekti “DRAIGON”, i cili ka nisur në janar 2024 dhe realizohet në bashkëpunim me tre spitale prestigjioze evropiane:
- Qendra Mjekësore Universitare në Groningen, Holandë
- Spitali ortopedik “Speising” në Vjenë, Austri
- Universiteti “Johns Hopkins”, SHBA
Ky bashkëpunim i rëndësishëm synon krijimin e një çipi të avancuar, një pajisjeje që do të mundësojë ndarjen dhe analizimin e ADN-së nga gjaku i pacientëve me gjendje septike, të shtruar në reanimacion. Brenda më pak se dy orësh, falë sekuencimit të ADN-së dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, do të mund të identifikohet shkaktari i infeksionit dhe të rekomandohet antibiotiku më i përshtatshëm.
Ky çip do të integrojë sekuencimin gjenetik dhe inteligjencën artificiale, duke sjellë një revolucion në diagnostikimin dhe trajtimin e infeksioneve bakteriale.
Një metodë revolucionare për diagnostikimin e shpejtë
Shpesh, pacientët në gjendje të rëndë, të shtruar në shërbimin e reanimacionit, përballen me vonesa të gjata deri në marrjen e rezultateve laboratorike për identifikimin e bakterit shkaktar të infeksionit dhe përcaktimin e antibiotikut të duhur.
Metoda tradicionale kërkon 24 deri në 72 orë për të dhënë një rezultat, duke lënë pacientët në pritje dhe në rrezik për jetën. Ndërkohë, duke filluar nga viti 2025, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” do të aplikohen metodat e reja të biologjisë molekulare, të cilat do të mundësojnë shkurtimin e kësaj kohe në vetëm dy orë për pacientët që kanë nevojë për një diagnozë të menjëhershme.
Përmes kësaj metode të avancuar, do të testohet një mostër klinike, si p.sh. sputumi i një pacienti me pneumoni, për të përcaktuar nëse në të ka ADN të patogjenëve (mikrobeve) që shkaktojnë infeksionin.
Avantazhet e teknologjisë së re
Ndryshe nga testet konvencionale, të cilat bazohen në kulturën bakteriale, pra në mbjelljen e mostrës në një terren ushqyes dhe pritjen e rritjes së baktereve për të testuar ndjeshmërinë ndaj antibiotikëve, kjo metodë e re përdor teknologjinë PCR të automatizuar (Test Real-Time PCR).
Kjo metodë moderne mund të zbulojë ADN-në e baktereve të ndryshme brenda pak orësh. Për shembull, ekzistojnë panele të ndryshme bakteriale, si p.sh. paneli respirator, i cili përfshin 24 patogjenët më të zakonshëm që shkaktojnë infeksione të sistemit respirator. Përmes kësaj teknologjie, brenda pak orësh do të merret informacioni i saktë dhe do të identifikohet bakteria specifike e pranishme në mostër.
Mbështetje nga BE dhe buxheti i projektit
Projekti “DRAIGON”, i cili ka nisur në janar 2024 dhe financohet nga Bashkimi Evropian, pritet të jetë plotësisht funksional brenda vitit 2025. Buxheti për implementimin e tij në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, nga faza e studimit deri në aktivizim, është 442.500 euro.
Fjalë kyçe: Antibiotik, ADN, Projekti “DRAIGON”, Spitali “Shefqet Ndroqi”, mostër, bakterie.