
FIBRILACIONI ATRIAL (FA)

ÇFARË ËSHTË HEMOPTIZIA APO NXJERRJA E GJAKUT ME KOLLITJE?
Çfarë është urtikaria te fëmijët?
Urtikaria është shfaqja e menjëhershme e papulave që kanë tre karakteristika:
- ënjtje qendrore e madhësive të ndryshme,
- shoqërohet me kruarje ose ndjenjë djegieje,
- elementët kanë zgjatje kalimtare (elementë të rinj mund të shfaqen në ditët në vijim).
Në 40% të rasteve, urtikaria shoqërohet me angioedemë (angioedema = edemë e kufizuar mirë që prek strukturat e thella të lëkurës). Urtikaria është e zakonshme te fëmijët. Rreth 15% e fëmijëve nën 10 vjeç përjetojnë të paktën një episod të urtikaries akute. Nëse fëmija ka edhe astmë, dermatit apo alergji të tjera, rreziku për urtikari arrin deri në 20%. Urtikaria mund të jetë akute (zakonisht kalon brenda disa orësh ose ditësh), ose kronike (zgjat më shumë se 6 javë). Te fëmijët, urtikaria akute është forma më e zakonshme.
Çfarë e shkakton urtikarinë te fëmijët?
Shkaktarët e urtikaries akute spontane përfshijnë:
- Infeksionet virale (në 40% të rasteve), si infeksionet e traktit të sipërm respirator, hepatiti viral ose mononukleoza infektive.
- Infeksionet bakteriale, si sinuziti ose një absces dentar.
- Alergjitë nga ushqimet, ndër më të zakonshmet janë veza, qumështi dhe kikirikat.
- Medikamentet, si antibiotikët ose anti-inflamatorët jo-steroidë (p.sh., ibuprofeni).
- Pickimet nga bleta ose grerëza.
Në rreth 50% të rasteve nuk identifikohet një shkaktar specifik dhe quhet urtikarie idiopatike.
Si diagnostikohet urtikaria te fëmijët?
Urtikaria zakonisht diagnostikohet përmes një historie mjekësore (anamneze) të hollësishme që përfshin:
- Karakteristikat e elementeve në lëkurë, si ndjenja e kruarjes dhe natyra kalimtare e elementeve.
- Dyshimin për ndonjë ushqim, marrjen e ndonjë medikamenti ose faktorë të tjerë shkaktarë.
- Praninë e një infeksioni.
Në rast se dyshohet për një alergji ushqimore ose nga medikamentet, mund të kryhen teste alergjie për të ndihmuar në përcaktimin e shkakut.
Si trajtohet urtikaria te fëmijët?
- Barnat që përdoren zakonisht janë antihistaminikët me veprim të zgjatur dhe jo sedativ (p.sh., Cetirizina). Këto medikamente ndihmojnë në qetësimin e gjendjes, por nuk eliminojnë mundësinë e rishfaqjes së urtikaries.
- Shmangia e shkaktarit shpërthyes, nëse ai njihet (p.sh., ushqim, medikament, etj.).
- Kortikosteroidet nga goja mund të përdoren për disa ditë në raste rezistente ndaj antihistaminikëve.