
Dëmtimet e pleksusit brachial gjatë lindjes

Artriti Rheumatoid (RA)
Sa herë gjatë jetës sonë kemi dëgjuar fraza si këto: “Ai ra në rrugë dhe, kur e çuan në spital, kishte vdekur; Ai ishte i ri, i shëndetshëm dhe vdiq papritur; E gjetën të vdekur në krevat fëmijësh; Humbi jetën në fushën e lojës; Dëgjova një gërhitje dhe ai nuk u përgjigj: kishte vdekur; Ai humbi ndjenjat ndërsa ishim duke ecur dhe nuk u rikthye.” Në të gjitha këto raste, të cilat mund të jenë anekdotike, për këto lloj ngjarjesh dallohen tre karakteristika:
1) Vdekje natyrore (përjashtohen shkaqet e dhunshme);
2) E papritur (vdekja e paparashikuar, e padyshuar);
3) E shpejtë (ndodh brenda një periudhe të shkurtër kohore nga fillimi i shenjave deri në konfirmimin e vdekjes).
Këto tre kritere përbëjnë atë që quhet: Vdekje e papritur.Çfarë quajmë vdekje të papritur kardiake? Vdekja e papritur kardiake përkufizohet si vdekja që ndodh brenda një ore nga fillimi i simptomave. Të flasësh për këtë temë ka një ndikim të madh shoqëror, pasi humbja e një personi të dashur, i cili në dukje ishte i shëndetshëm, ka një efekt të thellë emocional te familja dhe të afërmit. Shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes së papritur kardiake është një aritmi e quajtur fibrilacion ventrikular. Sipas kardiologëve, shkaku më i zakonshëm i vdekjes së papritur kardiake është sëmundja koronare e zemrës, një gjendje në të cilën arteriet që furnizojnë zemrën me gjak (arteriet koronare) janë të bllokuara.
Përveç kësaj, disa vdekje tek të rinjtë mund të lidhen me sëmundje të trashëguara të zemrës, si kardiomiopatia hipertrofike, një gjendje ku muskuli i zemrës bëhet më i trashë dhe e bën të vështirë pompimin e gjakut. Një tjetër faktor i përmendur nga ekspertët si shkaktar i mundshëm për këto vdekje të papritura është inflamacioni i muskujve të zemrës pas shërimit nga Covid-19, gjendje që mund të dëmtojë funksionimin e zemrës dhe të rrisë rrezikun për aritmi fatale. Në më të shumtën e rasteve, vdekjet e papritura që shkaktohen nga sporti ndodhin prej patologjive të aparatit kardiovaskular, tek ata individë që nuk janë në dijeni të ekzistencës së sëmundjes, sepse nuk kanë bërë ekzaminime mjekësore.
Referuar një studimi lidhur me vdekjet e papritura, është evidentuar se një rast vdekje ndodh për çdo 7.620 subjekte të moshës mesatare që vrapojnë shpejt. Stresi është shfaqur gjithashtu si një faktor rreziku i rëndësishëm për vdekjen e papritur kardiake, e cila mund të prekë të gjitha grupmoshat, krahas faktorëve të zakonshëm si diabeti, zakonet e këqija të jetesës dhe kequshqyerja. Jeta sedentare paraqet një rrezik të ngjashëm me atë që shkaktohet nga bashkësia e tre faktorëve të tjerë: hipertensioni, hiperkolesterolemia dhe duhani. Gjithashtu, në vdekjet e papritura mund të ndikojnë edhe sëmundje të tjera, si astma, abuzimet farmakologjike, apo streset nga temperaturat e larta ambientale, që ndikojnë në mosfunksionimin e mekanizmave të termorregullimit. Funksioni i ulët i mushkërive është një shkak kryesor i këtij “vrasësi të heshtur” dhe rrit rrezikun për vdekje të papritura me 23%.
Krahas këtyre faktorëve, vdekje të papritura mund të shkaktojnë edhe:
1)Çarja e aortës;
2) Hemorragjia cerebrale difuze;
3)Tromboembolia pulmonare.
Rekomandime
Duhet të kërkohet sa më parë ndihma mjekësore nëse shfaqen simptoma të tilla si: palpitacione (rrahje te forta të zemrës) pa ndonjë arsye të dukshme, marramendje ose vertigo, të fikët ose humbje e papritur e vetëdijes, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje, ose ndjenjë presioni në gjoks.
Masazhi kardiak, në këto situata, ka treguar se është shumë më efikas sesa frymëmarrja gojë më gojë. Katër minuta pas një infarkti apo arresti kardiak, shtypja e kraharorit rrit ndjeshëm mundësinë që viktima të mbijetojë. Me masazhin mbi kraharor, mjekët kanë parë se përqindja e mbijetesës arrin në 34%, krahasuar me 18% që ishte me metodat e përdorura më parë. Është thelbësore që të fillohet menjëherë me shtypjen e kraharorit, pasi kjo është e domosdoshme për të mbajtur gjakun të pasur me oksigjen.
Të gjithë individët mbi moshën 35 vjeç duhet të bëjnë kontrollin e zemrës një herë në vit. Është e vetmja mënyrë për të parandaluar vdekjet e papritura kardiake.
Aktiviteti fizik te pacientët me kardiopati duhet gjithmonë të konceptohet për qëllime riaftësuese ose terapeutike dhe asnjëherë për qëllime garuese. Aktivitetet fiziko-sportive ideale janë ato praktika dinamike që ofrojnë angazhime kardiovaskulare të qëndrueshme, me intensitet të ulët ose të moderuar, si ecja, vrapimi, kanotazhi, skitë e thellësisë etj. Një program ditor shumë i përshtatshëm për pacientë me kardiopati të seleksionuar është vrapimi ose ecja jo e ngadaltë, por me shpejtësi më pak se 6 km/orë, për një kohëzgjatje prej 35 minutash.